AlbanianSport.com 12/03/2019 18:20
ASNN – Të kuqtë kryeqytetas kryesojnë në pjesën e parë, por gjirokastritët përmbysin gjithçka në të dytën. Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka nisur të martën fazën e saj çerekfinale dhe në takimin që ka ngritur siparin të martën pasdreke, Luftëtari ka shtangur Partizanin, duke e mundur 2-1 në Stadiumin “Elbasan Arena”, që u jep gjirokastritëve shpresë për ndeshjen e kthimit në fushën e vet.
Në fakt, ishte një fitore me përmbysje kjo e skuadrën jugore, pasi janë kryeqytetasit ata që e gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 42-të, me anë të Telushit. Me këtë epërsi minimale të të kuqve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta, ndonëse do të vazhdojë të dominohet nga skuadra e Gegës, janë gjirokastritët që gjejnë dy gola. Fillimisht është një “ish”, Realdo Fili, ai që do të barazojë shifrat për Luftëtarin në minutën e 54-t.
Atëherë kur mendohej se gjithçka do të mbyllej në barazim, Luftëtari e ka shtangur Partizanin, pasi Hoxha do të gjejë edhe golin e dytë të gjirokastritëve në minutën e fundit të kohës së rregullt. Luftëtari e fiton kështu 2-1 këtë ndeshje të parë dhe Partizanit i duhet një përmbysje e madhe në ndeshjen e kthimit në Gjirokastër.