AlbanianSport.com 28.01.2017 19:35
ASNN – Ka qenë një rast klasik i një skuadre të madhe me emër dhe organikë, por që merr një leksion futbolli nga një ekip më modest në emër, histori dhe kapacitete, si njërzore, ashtu edhe financiare dhe logjistike. Kështu ka ndodhur të shtunën me Partizanin, i cili është mundur në Gjirokastër përballë Luftëtarit vendas, që ka triumfuar me shifrat 2-0, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje.
Në fakt, pjesa e parë ka parë një Partizan më dominues në vëllim loje, por të pazotin për të thyer Luftëtarin e vendosur mjaft mirë dhe mjaft të disiplinuar taktikisht, që është mbëshetur tek kundërsulmi për të rrezikuar portën kundërshtare. Dhe nga një i tillë, gjirokastritët kanë fituar një 11-metërsh dhe është Ramadani që ekzekuton qetësisht dhe saktësisht, duke e dërguar Luftëtarin në epërsi në dhomat e zhveshjeve.
Pjesa e dyta ka të njëjtën fizionomi, me Luftëtarin më të rrezikshëm në kundërsulm dhe, pas një rasti të humbur në minutën e 47-të, gjirokastritët do të dyfishojnë epërsinë në minutën e 65-të, me atë të të riut Abazaj, i cili vepron bukur brenda zonës dhe godet, duke mposhtur portierin Hoxha dhe duke përshëndetur rrjetën. Dukshëm, Partizani është goditur psikologjikisht.
Dhe, ndonëse do të hidhet në sulm në kërkim të golit, gjendet shpesh i zbuluar prapa dhe Luftëtari mund të kishte shënuar edhe një gol tjetër, sikur të mos ishte për reflekset e Hoxhës. Mbyllet 2-0 kjo ndeshje dhe Partizani mbetet në kuotën e 35 pikëve, 4 më pak sesa Kukësi kryesues, që fitoi të shtunën në Shkodër ndaj Vllaznisë vendase, me një gol të vetëm, të realizuar nga Pejiç në minutat e fundit të të ndeshjes.
Tanimë të kuqtë ndajnë vendin e dytë dhe të 3-të me Skënderbeun, që ka fituar 1-0 në Korçë ndaj Flamurtarit me një gol të shënuar nga Jashanica në minutën e 86-të. Po me një gol të vetëm ka fituar në “Elbasan Arena” edhe Laçi ndaj Korabit. Java e 19-të është mbyllur sot në mbrëmje, me takimin që nisi në ora 17:00, midis Teutës dhe Tiranës dhe u fitua nga durrsakët me një gol të vetëm të Hilës në pjesën e dytë.