AlbanianSport.com 27/03/2019 20:50
ASNN – Amerikani 55-vjeçar rrëfen për RTSH-në aventurën e tij sportive, ndan këshillat për të rinjtë. Kevin Lëvron është një nga personazhet më të spikatura të”body-building” në botë dhe këto ditë ai ka vizituar edhe Shqipërinë. “Qëllimi i ardhjes sime këtu është ndarja me të të tjerët e asaj që unë kam mësuar në industrinë e “fitness”-it, që t’u mësoj atyre të apasionuarve pas një trupi të bukur për jetesën e shëndetshme, për të ushqyerit e shëndetshëm dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me këtë”, – ka deklaruar ai.
“Është hera e parë që vij këtu dhe ndjehem mirë, më pëlqen vendi, koha e bukur dhe njerëzit dhe është kënaqësi që kam mundësi të njihem me vendin tuaj dhe të kaloj disa ditë këtu”, – ka shtuar amerikani nga Baltimori i Merilendit, për të cilin, mendësia e këtij sporti gjen zbatim edhe në fusha të tjera të jetës. “Ajo që unë kam mësuar që kur isha fëmijë, është që të besosh, të mos dorëzohesh kurrë dhe, kur ta nisësh diçka, të mos e lësh përgjysmë, por ta çosh deri në fund”, – thekson Lëvroni.
“Ky sport më ka mësuar që, duhet të jesh i përkushtuar, kur ta bësh diçka, bëje atë 100% dhe kjo kjo mendësi, që vlen shumë për “body-building”, mund të përvetësohet dhe të zbatohet në gjithçka tjetër që bën në jetë, – ka vijuar ai. – Sepse sporti më ka mësuar që për të arritur diçka duhet strategji dhe këmbëngulje dhe, kur punon aq sa është e nevojshme, rezultatet janë të jashtëzakonshme.” 55-vjeçari këmbëngul se “body-building” nuk ka të bëjë vetë me muskujt.
“Sigurisht që nuk është, sepse mbi të gjitha ka të bëjë me trurin, që është faktori më i madh dhe “body-building” ka të bëjë me sakrificën që bën, – këmbëngul kampioni i shumëfishtë i botës. – Sa më e madhe sakrifica, aq më i madh shpërblimi dhe kjo është gjëja kryesore që ky sport më ka mësuar, të qenit i përqendruar. Unë e nisa këtë sport kur isha 12 vjeç dhe rashë në dashuri me “body-building” që atëherë dhe ja ku jam sot dhe prandaj i jam mirënjohës këtij sporti.”
Për veteranin e “body-building” botëror, gjithçka është e mundur falë përkushtimit. “Jam këtu prej 3 ditësh tashmë dhe kam patur kënaqësinë të ndaj me të rinjtë këtu përvojën time, sa i përket strategjisë së stërvitjes, dietës ushqimore, e të tjera. Por, për mua, më e rëndësishmja është të besoj tek vetja dhe të ndjekësh ëndrrat e tua, të besosh tek vendimet që merr në jetë, të jesh i përkushtuar, të jesh i disiplinuar dhe të jesh i vendosur”, – ka përfunduar 55-vjeçari amerikan, Kevin Lëvron.