AlbanianSport.com 01.05.2016 11:35
ASNN – Brenda pak kohëve ai është bërë një nga futbollistët më të spikatur kuqezi, kjo edhe falë paraqitjes së jashtëzakonshme që ka bërë me klubin e tij, Napolin. Kjo ka bërë që vlera e Elseid Hysajt në merkato tashmë të përllogaritet në 18-20 milionë Euro, ndërsa drejtuesit e klubit napolitan vlerësojnë se ai ka potencialin të bëhet një lojtar i madh.
Skuadra e tij, Napoli, mund të ketë dështuar në duelin për titullin e kampiones së Italisë me Juventusin, por mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, pritet të jetë në qendër të merkatos së verës, pasi janë shumë skuadra të mëdha evropiane që synojnë të sigurojnë shërbimet e tij. Ndonëse mbetet ende në kuadër të hipotezës, midis skuadrave të mëdha që raportohen se e synojnë shkodranin janë edhe Bajerni i Mynihut dhe Barcelona.
E ndërsa për ndihmëstrajnerin e Kombëtares, Paolo Tramexanin, ai është ndër më premtuesit në botë, ashtu siç është edhe për trajnerin kuqezi, Xhovani De Biazi, Hysaj është i padiskutueshëm në rolin e tij dhe ka mundësi rritjeje. Këtë e thekson edhe drejtori i përgjithshëm i Empolit, Xhuzepe Vitale, i cili rrëfen sekretin e vërtetë të shkodranit.
“Duke e njohur mund të them se luan si një veteran”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Ka një karakter tepër të fortë, vjen nga hiçi dhe pikërisht vështirësitë me të cilat është përballur gjatë fëmijërisë e kanë bërë menjëherë burrë. Ky është sekreti i tij dhe arsyeja pse luan pa frikë. Ishte edhe me fat që takoi Sarrin, mësuesi i tij dhe që e mori edhe tek Napoli. Mund të bëhet më i miri në botë”, – ka përfunduar Vitale.
Sipas specialistëve të merkatos, tanimë shkodrani vlen të paktën 18-20 milionë euro.