AlbanianSport.com 08/02/2019 12:55
ASNN – Kavajasi udhëheq skuadrën drejt fitores 3-1 në Turqi, dy realizimet e shqiptarit, mbresëlënëse. Dy gola, një fitore e thellë që jep shpresë për në kualifikim për në gjysmëfinale të Kupës së Turqisë, por, më tepër se aq, një konsolidim i shpejtë me skuadrën e re. Kjo është me pak fjalë ajo që po ndodh me Sokol Cikalleshin, dy golat e të cilit kanë shtruar rrugën e fitores 3-1 që skuadra e tij, Akhisar Beledijespor ka korrur të enjte në takimin e parë çerekfinale të veprimtarisë së dytë të futbollit turk ndaj Kasëmpashës.
Të golat e realizuar nga shqiptar kanë qenë shumë të bukur, madje, duke i postuar ato në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, sulmuesi kuqezi ka ftuar admiruesit e tij të zgjedhin se cili ishte më i bukuri. Futbollisti shqiptar e ka kaluar skuadrën e tij në epërsi, në minutën e 41-të të sfidës, me një goditje të zgjuar me kokë. Ishte një krosim nga e majta e sulmit, të cilin sulmuesi e ka shfrytëzuar më së miri duke fluturuar me kokë dhe duke e çuar topin në rrjetë.
Ndërkaq, sapo nisi pjesa e dytë, sulmuesi kavajas shënoi dhe golin e dytë, duke i hapur kështu rrugën fitores së skuadrës së tij në këtë ndeshje. Një kalim i ëmbël i topit ka gjunjëzuar portierin kundërshtar për ta bërë takimin 2-0. Akhisari ka gjetur edhe një gol tjetër në minutën e 73-të, ndërsa Cikalleshi është zëvendësuar në minutën e 81-të, midis duartrokitjeve të publikut. Kjo fitore 3-1 i jep skuadrës së shqiptarit një epërsi të kënaqshme për ndeshjen e kthimit, ndërsa vetë Cikalleshi po konfirmohet gjithnjë e më tepër si një sulmues goli me këtë ekip.