AlbanianSport.com 07/11/2021 22:25
ASNN – Futbollisti kuqezi realizon dy gola në fitoren 4-0 ndaj Kishvardës në kampionat. Në prag të dy ndeshjeve të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, asaj ndaj Anglisë dhe asaj ndaj Andorrës, dhe teksa ka nisur edhe grumbullimin, Kombëtarja kuqezi ka marrë një lajm të mirë, pasi një nga lojtarët e saj ka spikatur në takimet e së dielës me klubin e tij.
Bëhet fjalë për futbollistin shqiptar, Myrto Uzuni, i cili po kalon një formë shumë të mirë me skuadrën e Ferencvaroshit. Gjatë ndeshjes që gjigandja hungareze zhvilloi të dielën në fushën e Kishvardas, Uzuni ka arritur të shënojë dy gola duke i dhënë në këtë mënyrë skuadrës së tij edhe kreun e renditjes së nivelit më të lartë të kampionatit vendas.
Ferencvaroshi arriti ta fitonte këtë sfidë me rezultatin e thellë 4-0 dhe golat nga beratasi erdhën në minutën e 70-të dhe atë të 90-të. Ai realizoi golin e dytë, pas një ndërthurjeje të bukur me një nga lojtarët e skuadrës së tij, duke vijuar të vulosë në fund fitoren e Ferencvaroshit, që ndan kreun me Akademinë Pushkash, me nga 25 pikë, por skuadra e Uzunit mban vendin e parë falë golaverazhit më të mirë.
Me këto dy gola lojtari i përfaqësueses shqiptare arrin në kuotën e 5 golave të shënuar në vetëm 11 ndeshje të luajtura në këtë sezon, duke qenë ai autori i mbi 25 % të golave të realizuara nga Ferencvaroshi. Kujtojmë se Uzuni ka arritur të shënojë gol në katër ndeshje rresht, ndërsa ka realizuar 8 gola në Kupën e Hungarisë, por edhe në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve dhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.