AlbanianSport.com 02/03/2019 23:05
ASNN – Shqiptari firmos barazimin 1-1 në shtëpi të Lokomotivës së Zagrebit në derbin me Dinamon. Myrto Uzuni po kalon një sezon të shkëlqyer në nivelin më të lartë të kampionatit kroat të futbollit dhe të shtunën ai ka qenë protagonist i një tjetër ndeshjeje të rëndësishme për skuadrën e tij, Lokomotivën e Zagrebit. Lojtari shqiptar nuk di të ndalet dhe ka shënuar një tjetër gol në mbrëmje.
Ai ka realizuar në barazimin 1-1 që skuadra e tij arriti në ndeshjen e luajtur në shtëpi kundrejt gjigandes së futbollit kroat dhe kryesueses aktuale të renditjes, Dinamos së Zagrebit. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka barazuar shifrat në 1-1, në minutën e 80-të të takimit, pasi Dinamo kishte kaluar në epërsi në mesin e pjesës së dytë. Ky është goli i tij i 7-të në kampionatin kroat.
Aty ku madje ka dhuruar dhe pasimin 5 gola të tjerë nga 36 gjithsej që Lokomotiva ka shënuar gjithsej në këto 23 javë kampionat. Sinjale shumë të mira këto dhe për Kombëtaren, që i nevojitet shumë në këto momente edhe futbollisti beratas. Uzuni ka shfrytëzuar më së miri brenda zonës, topin e dhënë nga shoku i skuadrës dhe me të djashtë ka çuar topin në shtyllë dhe më pas në rrjetë.
Dinamo ngjitet në kuotën e 58 pikë dhe është 14 pikë e shkëputur në krye nga ndjekësja më e afërt, Rijeka, ndërsa Lokomotiva e Zagrebit mban vendin e katërt, me 37 pikë dhe është në zonën që të çon në turet eliminatore të Ligës së Evropës sezonin e ardhshëm.