AlbanianSport.com 12.11.2016 22:05
ASNN – Mungesa e tij me fanellën e përfaqësueses po bëhet gjithnjë e më enigmatike, e për më tepër nën dritën e golave kuqezi, ndërsa po shkëlqen gjithnjë e më tepër përtej Atlantikut.
Shkëlzen Gashi kualifikoi ekipin e tij, Kolorado Rapids, në finalen e Konferencës së Perëndimit, por tashmë ai ka rrëmbyer një tjetër trofe personal. Ai ka fituar garën për golin më të bukur të sezonit në kampionatin amerikane të futbollit, që njihet si “MLS”.
Goli spektakolar që i shënoi skuadrës së Vankuverit më 24 shtator 2016 është shpallur si më i miri në Shtetet e Bashkuara. Ai kaloi me radhë të gjithë rivalët, ndërsa në finale u përball me Xhek Herrisonin.
Publiku u ftua të votonte edhe njëherë për dy ditë, nga 9 deri më 11 nëntor 2016 dhe rezultatet u dhanë në orët e para të mëngjesit së të shtunës me kohën tonë lokale. Skuadra e Kolorados nxitoi të publikonte lajmin në rrjete sociale dhe të uronte Gashin.