AlbanianSport.com 05/08/2018 10:50
ASNN – E ka veshur shpesh fanellën kuqezi, por sikur ka munguar këto kohët e fundit në apel. Por Jahmir Hyka ka rigjetur golin në Kampionatin Amerikan të Futbollit (Major League Soccer), duke i dhënë një sinjal trajnerit të kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, se është gati për sfidat e muajt shtator ndaj Izraelit dhe Skocisë në Ligën e Kombeve.
Dallasi vazhdon të mbetet preja e preferuar e shtatshkurtrit shqiptar, i cili që nga zbarkimi në “tokën e premtuar” i ka realizuar 3 herë në 3 sfida të ndryshme skuadrës teksane. Futbollisti shtatshkurtër luajti një rol shumë të rëndësishëm në suksesin 3-1 të skuadrës së tij, San Hoze Ërthkuejks në fushën e Dallasit. Në sekondat e para të pjesës së dytë, rezultati ishte i mbërthyer në barazim 1-1.
Por Hyka kontrolloi në mënyrë perfekte një top të marrë nga Godoj dhe me një goditje të shpejtë dhe të zgjuar, brenda zonës, mposhti portierin kundërshtar, duke kaluar në epërsi skuadrën kaliforniane dhe duke gjetur golin e dytë sezonal. Hyka festoi me simbolin e shqiponjës duke i dhënë një sinjal trajnerit të kombëtares Panuçi është gati dhe shumë në formë për dy sfidat e radhës të kuqezinjëve.
30-vjeçari kryeqytetas u zëvendësua në minutën e 63-të, ndërkohë që, me këtë fitore, San Hoze Ërthkuejks mori pak oksigjen por vazhdon të mbetet në vendin e fundit të konferencës së Perëndimit në MLS, me vetëm 16 pikë të grumbulluara dhe shumë larg zonës së “play-off”-it.