AlbanianSport.com 09/08/2019 21:50
ASNN – Portieri shqiptar, menjëherë protagonist, fiton trofeune parë me skuadrën e tij të re. Në fakt, edhe pse me parametra “0”, falë mirëkuptimit me drejtuesit e klubit kurbinas, Gentian Selmani, është i vetmi futbollist shqiptar që kaloi në një kampionat të huaj gjatë verës. Ai u transferua pak kohë më parë te skuadra turke e Menemensporit, që militon në nivelin e dytë të kampionatit turk të futbollit.
Pas eksperiencës fantastike me Laçin, gardiani nga Fushë-Kruja, ka arritur të sigurojë të premten edhe trofeun e parë, me klubin e tij të ri. Bëhet fjalë për një turne veror, të zhvilluar mes skuadrave të qytetit të Izmirit, ku fitues u shpall ekipi i shqiptarit, Menemenspori. Në këtë turne morën pjesë 4 skuadra, Karshijaka, Alltaji, Alltënorduja dhe Menemenspori. Të gjitha këto skuadra garojnë në ligën e dytë turke.
Gardiani shqiptar i portës ka qenë titullar në ndeshjet e zhvilluara në këtë turne. Skuadra e tij mposhti fillimisht Karshiakën në gjysmëfinale me rezultatin 1-0, ndërkohë që sot ngadhënjeu me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Alltënordusë, duke siguruar kështu trofeun e parë për këtë sezon. Një trofe simbolik, që sigurisht do ta motivojë skuadrën e Selmanit, por edhe vetë portierin shqiptar, për të arritur objektivat sezonale.