AlbanianSport.com 17/02/2019 10:25
ASNN – Sulmuesi Armando Sadiku është kthyer më në fund të luajë titullar dhe menjëherë tek goli. U desh të largohej nga La Liga spanjolle dhe të vinte në Zvicër, në aventurën e tij të dytë në këtë vend, këtë herë me Luganon, skuadër ku ai u formua si goleador disa vite më parë. Dhe siç thotë populli “e treta e vërteta”, ndodhi e vërtetë dhe me Sadikun.
Elbasanasi gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen e tij të 3-të me Luganon për këtë sezon. Në dy ndeshjet e para kishte luajtur si zëvendësues nga pak minuta, kurse në ndeshjen e fundit e nisi titullar dhe arriti të shënojë gol. Ishte minuta e 32-të e ndeshjes kur Sadiku gjeti rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e parë për skuadrën e Luganos në duelin e fituar 0-3 ndaj Lucernës.
Padyshim, goli është çlirim për lojtarin dhe njëherësh kapërcimin e gjendjes së rënduar psikologjike që vjen nga koha e gjatë e “thatësirës”, e cila erdhi si pasojë e një dëmtimi të rëndë të sulmuesit kuqezi. Ndërkohë, goli është njëherësh edhe sinjal për trajnerin Kristian Panuçi, i cili në listën e të grumbulluarve të nevojshëm për duelin e parë në eliminatoret e Kampionatit Evropian, atë ndaj Turqisë, duhet të mendojë dhe për sulmuesin elbasanas.
https://www.facebook.com/armando.sadiku/videos/2100199113392554/