AlbanianSport.com 01/01/2018 09:55
ASNN – Nga një fillim sezoni që sfidoi gjasat dhe rishkroi librat e histories së klubit kurbinas, tek një fillim i turbullt i fazës së dytë, që rrezikon të nxjerrë nga binarët një ekip që premtoi. Kjo është metamorfoza 11-javore e Laçit, skuadrës që, ndonëse pa shumë emra të bujshëm, nuk ka munguar të dhurojë të papritura në këtë 10-vjeçar të fundit të futbollit shqiptar.
Skuadra kurbinase, e drejtuar nga një trajner fjalëpak, por i përkushtuar si Artan Merxhushi, pati nisur nga ai barazim 1-1 në Kukës në premierën e këtij sezoni të Superiores, me 3 barazime të tjera përballë Skënderbeut, Partizanit dhe Kastriotit, por edhe me 4 fitore përballë Luftëtarit, Kamzës, Flamurtarit dhe Tiranës, që e ngjitën skuadrën midis 3 të parave të kampionatit.
Pa llogaritur këtu dy fitore bindëse të Laçit në turin e 32-shes së Kupës së Shqipërisë, që e bëjnë vazhdën prej pasdites së 19 gushtit e deri në pasditen e 20 tetorit 2018 mbresëlënëse për standardet shqiptare. Por 180 minuta të pafata, fillimisht me atë humbje 0-3 në shtëpi me Teutën dhe pastaj ai dështim minimal po në shtëpi me Kukësin, si dhe zbritja me një shkallë në renditje, nga i 3-ti tek i 4-ti, kanë mjaftuar për të larguar Merxhushin, ndërsa prej disa ditësh, stoli i kurbinasve është bosh.
Burime zyrtare pranë klubit të Laçit, kanë pohuar se është zëvendëstrajneri Migen Memelli ai që e ka stërvitur dhe po e përgatit skuadrën për vizitën e së shtunës në Gjirokastër, për t’u ndeshur me Luftëtarin vendas. Nuk dihet ende nëse presidenti Pashk Laska ka vendosur t’ia besojë pogradecarit detyrën në terma afatgjatë, por duket se Memelli do të jetë në stolin e kurbinasve në Gjirokastër.
Natyrisht, dy ditët që kanë mbetur mund të sjellin zhvillime të reja, por largimi i Merxhushit, trajnerit më produktiv të ekipit në këto 5 sezonet e fundit, ka sjellë padyshim pështjellim në kampin kurbinas.