AlbanianSport.com 04.02.2017 21:15
ASNN – Pasi ka sjellë për sportdashësit dy takimet e para të javës së 14-të të Kategoria e Parë, Rrjeti i Radio-Televizionit ka vijuar të sjellë të dielën të tjera emocione futbollistike. Dhe të ka qenë radha e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, i cili ka zhvilluar 3 ndeshjet e para të javës së 20-të.
Takimi i përzgjedhur nga transmetuesi publik ka qenë ai i Laçit, ku skuadra vendase është ndeshur me Tiranën. Fati i kësaj ndeshjeje është vendosur në favor të kurbinasve në minutën e 35-të, kur përforcimi më i fundit i merkatos së dimrit, afrikani Emanuel Mensah, depërton bukur nga mesfusha deri në mbrojtjen e Tiranës, duke goditur zgjuarsisht dhe duke përshëndetur rrjetën.
Pavarsisht përpjekjeve të Tiranës, por edhe një administrimi të mirë të epërsisë nga ana e Laçit, që mund të kishte gjetur edhe golin e dytë në fund, janë vendasit që fitojnë 1-0. Me të njëjtat shifra, Kukësi kryesues ka fituar pasdreke ndaj Teutës. Dy takimet e tjera të javës së 20-të të Kategorisë Superiore luhen të hënën dhe, duke nisur nga ora 14:00, Korabi përballet në Stadiumin “Elbasan Arena” me Skënderbeun.
Ndërsa, duke nisur nga ora 17:00, Flamurtari pret në Vlorë Luftëtarin, në sfidën e fundit të javës. Ndërkaq të hënën mbyllet edhe java e 14-të e Kategorisë së Parë, me takimin e orës 13:00, midis Kamzës dhe Mamurrasit, që gjithashtu do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.