AlbanianSport.com 21/07/2022 20:55
ASNN – Kurbinasit luajnë për mëse një orë me 10 lojtarë në duelin e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës. Edhe pse ka luajtur për diçka më tepër se një orë me 10 lojtarë, skuadra e Laçit ka marrë të enjten një barazim heroik me rrjeta të paprekura, por mjaft të vyer në Moldavi ndaj Petrokubit. Takimi i parë i vlefshëm për turin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës është luajtur jo në fushën e rivalit të Laçit, por në stadiumin “Zimbru” të kryeqytetit moldav, Kishinjev.
Ai ka parë kurbinasit të mbeten me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Spahiut në minutën e 27-të, pas marrjes së dy kartonëve të verdhë brenda pak minutash. Gjysma e dytë e pjesës së parë do të shohë vendasit të këmbëngulit dhe në të 38-tën, ka çaste paniku në fushë pasi Velkoski merr një goditje në fytyrë, në përpjekje për të shpëtuar portën, dhe përfundon në tokë pa ndjenja duke alarmuar shokët e skuadrës.
Për fat të mirë, me ndërhyrjen e shpejtë të lojtarëve dhe stafit mjekësor, lojtari ngrihet dhe del vetë nga fusha e lojës. 4 minuta para fundit të pjesës së parë të Turçan provon nga larg dhe gjen Dajsinanin jashtë pozicionin, por topi rrok shtyllën horizontale të portës së kurbinasve dhe përfundon jashtë. Me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të jenë më të luftuara, me vendasit, që, të ndihmuar edhe nga epërsia numerike në fushën e blertë, do të bëjnë një vëllim më të madh loje dhe do të ndërtojnë më tepër raste për shënim.
Por, në krahun tjetër, përkundër këtij inferioriteti numerik në organikë, kurbinasit janë mbrojtur heroikisht, madje edhe kanë guxuar herë pas here ta godasin skuadrën moldave me kundërsulm, siç ka ndodhur me Akiniemin në minutën e 69-të, apo edhe me Mazrekajn 10 minuta më pas. Megjithatë, përtej minutave të fundit nervoze, që kanë parë portierin Dajsinani dhe mbrojtjen kurbinase të gabojë dhe për pak sa u ndëshkua prej tyre, Laçi merr një barazim të bardhë në fushë të huaj në takimin e parë, duke e lënë çështjen e kualifikimit që të vendoset pas një jave në ndeshjen e kthimit në fushën e vet.