AlbanianSport.com 27/02/2019 21:10
ASNN – Plagët që shkaktoi Sigurimi famëkeq i Shtetit, një nga strukturat më gjakatare të diktaturës komuniste, kanë lënë shenjë edhe në sportin shqiptar. Me dhjetëra sportistë, trajnerë, madje dhe ekipe sporti u përndoqën nga agjentët e Sigurimit të Shtetit, duke sjellë pasoja të pariparueshme, shkatërrim karriere, burgosje, internim apo edhe eliminim fizik.
Figura të njohura si Selman Stërmasi, Qemal Vogli apo Aleksandër Kondo ishin nën mbikqyrjen e imtësishme të operativit të Sigurimit. Instituti për Demokraci Media e Kulturë përmes Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit sollën për publikun një mori dosjesh të cilat mbajnë brenda faqeve të tyre histori të dhimbshme të përgjimeve dhe shantazheve që vetëm sigurimi monstër mund t’i kryente në kuadrin e praktikave kundër lirisë së individit.
Shumë nga këto dosje që presin dritën e publikimit kanë brenda tyre figura shumë të njohura në fushën e sportit, të cilët në gjithë vitet e tranzicionit janë kamufluar e përshtatur në jetën e përditshme si persona normal dhe sigurisht edhe aktivë në jetën publike.