AlbanianSport.com 06/08/2018 15:30
ASNN – Përkundër një bilanci më të pasur të skuadrës gjeorgjiane kundrejt asaj shqiptare, Kukësi shkon në përballjen e dyfishtë në kuadër të turit të 3-të të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit me më tepër përvojë në arenën evropiane kundrejt Torpedos së Kutaisit. Nëse për Torpedon e Kutaisit arritja këtë sezon në turin e 3-të eliminator të Ligës së Evropës ishte arritja më e madhe në veprimtaritë kontinentale, për Kukësin kjo është hera e 3-ta që arrin në këtë nivel. Pas eliminimit në Ligën e Kampioneve, Kukësi tanimë shpreson tek Liga e Evropës për të mbetur në veprimtaritë kontinentale të klubeve dhe pengesa e radhës quhet Torpedo e Kutaisit.
Në fakt, përkundër një bilanci më të pasur të skuadrës gjeorgjiane kundrejt asaj shqiptare, Kukësi shkon në përballjen e dyfishtë në kuadër të turit të 3-të të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit me më tepër përvojë në arenën evropiane. Torpedo e Kutaisit, qytetit të dytë më të madh pas kryeqytetit Tbilisi, është shpallur 4 herë “kampione e Gjeorgjisë”, në vitet 1999-200, 2000-2001, 2001-2002, dhe 2016-2017, përkundër një titulli të vetëm kampion në sezonin 2016-2017 të Kukësit, që sidoqoftë është shpallur edhe 3 herë nënkampion, në sezonet 2012-2013, 2013-2014 dhe 2014-2015.
Torpedo e ka fituar 3 herë Kupën e Gjeorgjisë, në sezonet 1998-99, 2000-2001, dhe 2015-2016, përkundër një Kupe të Shqipërisë të fituar nga Kukësi në sezonin 2015-2016, pas dy dështimeve radhazi në finalet e mëparshme. Të dyja skuadrat e kanë fituar nga një herë Superkupën e vendit të tyre, me Torpedon që triumfoi në Gjeorgji gjatë këtij viti dhe me Kukësin që e fitoi atë në 2016-ën. Edhe pse skuadra gjeorgjiane ka luajtur 32 ndeshje në veprimtaritë evropiane, ku fituar 11, ka barazuar 5 dhe i ka humbur 16 ndeshjet e tjera, me një golaverazh prej 45 golash të shënuar e 58 të pësuar, përkundër 26 ndeshjesh të Kukësit, që ka korrur 6 fitore, ka marrë 9 barazime dhe ka pësuar 11 humbje, me një golaverazh prej 11 golash të shënuar e 19 të pësuar, prapëseprapë skuadra verilindore ka bërë një paraqitje mjaft më të mirë në Kupat e Evropës.
Nëse për Torpedon e Kutaisit arritja këtë sezon në turin e 3-të eliminator të Ligës së Evropës ishte arritja më e madhe në veprimtaritë kontinentale, për Kukësin kjo është hera e 3-ta që arrin në këtë nivel dhe shpreson që të arrijë më në fund në “play-off”, por edhe më pas në fazën e grupeve. Interesant është edhe fakti se të dyja skuadrat nuk do t’i luajnë në stadiumet e tyre ndeshjet e shtëpisë. Ndërkohë që Kukësi do t’i luajë ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena” dhe jo në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, edhe Torpedo nuk do ta luajë ndeshjen e parë në Stadiumin 12-mijë-vendësh “Ramaz Shengelia” të Kutaisit, por në atë 27-mijë-vendësh“Mikheil Meskhi”, që njihet ndryshe edhe si Stadiumi “Lokomotiva” në kryeqytetin gjeorgjian, Tbilisi.