AlbanianSport.com 08.01.2017 10:40
ASNN – Kukësi dhe Partizani kanë filluar përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit. Dy skuadrat e kreut të kampionatit shqiptar, kanë zhvilluar seancat e para stërvitore në komplekset sportive në Antalia. Trajnerët Gjoka dhe Starova kanë patur mundësinë të zhvillojnë programet stërvitore e të provojnë edhe lojtarë të rinj.
Në përgatitje të pjesës së dytë të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, disa nga skuadrat kanë zgjedhur Antalian për të zhvilluar fazën përgatitore. Kukësi ka zhvilluar tashmë seancat e para stërvitore, në kompleksin sportiv në Antalia nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka.
Futbollistët kanë marrë ngarkesë të plotë fizike. Me ekipin atje është bashkuar edhe lojtari Fejvër Aniekan. 22-vjeçari nga Nigeria luan si mesfushor i avancuar. Kartoni i tij ka qenë në zotërim të Milanit deri në verën e 2016. Më pas, Aniekani është bërë lojtar i lirë.
Futbollisti nigerian do të testohet te Kukësi gjatë ditëve të qëndrimit të skuadrës në Antalia dhe më pas do të vendoset nëse do të qëndrojë me skuadrën apo jo. Kukësi e mbylli gjysmën e parë të sezonit aktual në krye të renditjes së Kategorisë Superiore, me 36 pikë, një më tepër sesa Partizani i vendit të dytë.