AlbanianSport.com 03/06/2020 16:00
ASNN – Kreu i FFK-së duhet të paraqitet më 18 qershor në mesditë për të shlyer detyrimin 9-mujor. Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dërguar urdhër për paraqitjen në institucionin për kryerjen të dënimit me burgim Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Sipas dokumentit të botuar nga disa media të Prishtinës e të lëshuar nga Kryetarja e Gjykatës së Prishtinës Afërdita Bytyçi, Ademi duhet të paraqitet në Shërbimin Korrektues të Kosovës me qendër në kryeqytet, deri më 18 qershor në orën 12:00.
Nëse Ademi nuk paraqitet deri në datën e caktuar, atëherë sipas urdhëresës, Gjykata Themelore do të lëshojë urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgim me forcë në Shërbimin Korrektues. Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burgim efektiv për kanosje dhe përfitim pasuror në rrugë të dhunshme, për një rast jashtë futbollit, të ndodhur në vitin 2012. Kundër këtij vendimi, Agim Ademi është ankuar edhe në Gjykatën Supreme. Vetë Ademi ka deklaruar ndërkohë se nuk ka marrë një urdhër zyrtar.
“Nuk kam pranuar asnjë dokument dhe nuk është e vërtetë se kam pranuar dokument për ekzekutimin e dënimit, – ka deklaruar kreu i organizmit që qeveris futbollin e Kosovës. “Në rast se do të pranoj diçka të tillë, do të njoftoheni për hapat e radhës”, – shtoi ai. Ademi është dënuar për veprën penale të kërcënimit dhe presionit me qëllim përfitimi material në periudhën 12 korrik 2012-12 shtator 2012.
Së bashku me të dënuarin tjetër Muharrem Ramën, Ademi akuzohet se ka kërkuar nga Dritëro Kadolli të paguhet 30 mijë euro në dorë nga, ose të merrte një makinë tip “BMW X5”, e cila do t’i ofrohej Kryetarit të Asamblesë Komunale Sami Hamiti.