AlbanianSport.com 22/06/2020 23:10
ASNN – Edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të Evropës, Kosova e nis më 3 shtator 2020 ndaj Moldavisë. Kështu, pas ndërprerjes për shkak të epidemisë së virusit korona, përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të rikthehet me ndeshje në muajin shtator, pasi UEFA ka zyrtarizuar orarin e ndeshjeve për edicionin e ri të veprimtarisë së dytë të përfaqësueseve të kontinentit të vjetër.
Dhe përfaqësuesja e njohur me nofkën “Dardanët”, garën në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve të Evropës do ta nisë një nivel më lart, teksa edicionin e shkuar konkurronte në Ligën e fundit, Ligën D, por tanimë është ngjitur në nivelin e 3-të, në Ligën C. Dhe Kosova e nis ndaj Moldavisë, në fushën e kësaj të fundit, në takimin që luhet më 3 shtator 2020.
Kurse, ndeshja e parë në shtëpi do të jetë ajo ndaj Greqisë, që do të luhet në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, më 6 shtator 2020. Mëse një muaj më pas, më 10 tetor 2020, po në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës zbarkon edhe përfaqësuesja e Sllovenisë. Në takimin e 4-t dhe atë të 5-të, Kosova luan jashtë, teksa udhëton drejt Greqisë fillimisht e, më pas, Sllovenisë.
Ndërsa pjesëmarrjen e saj në grupin e 3-të të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës, Kosova e mbyll po në Prishtinë, ku do të presë Moldavinë. Duhet theksuar se të gjitha ndeshjet e Kosovës në këtë grup nisin në të njëjtin orar, në 20:45. Ndërkohë, më 8 tetor 2020, Kosova do të zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it të edicionit të parë të Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut, në Shkup, në rrugën drejt Evropianit.
Liga e Kombeve të Evropës
Liga C
Grupi 3
Të enjten, 3 shtator 2020:
Moldavi – Kosovë (20:45)
Të dielën, 6 shtator 2020:
Kosovë – Greqi (20:45)
Të shtunën, 10 tetor 2020:
Kosovë – Slloveni (20:45)
Të martën, 13 tetor 2020:
Greqi – Kosovë (20:45)
Të premten, 13 nëntor 2020:
Slloveni – Kosovë (20:45)
Të hënën, 16 nëntor 2020:
Kosovë – Moldavi (20:45)