AlbanianSport.com 01/04/2020 19:50
ASNN – Përvijohet paketa financiare që do të lehtësojë sadopak krizën ekonomike të shkaktuara nga epidemia. Ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar ndihmën e qeverisë për të lehtësuar barrën financiare që epidemia e koronavirusit po shkakton në buxhetet e organizmave sportivë, Kosova ka kaluar në masa konkrete. Kështu, janë mësuar edhe shifrat që do t’i takojnë Federatës së Futbollit të Kosovës nga “paketa emergjente” e Ministrisë së Sportit.
Në vendimin për përkrahjen e federatave sipas kategorive u është caktuar vlera financiare e pikëzimit për sportet kolektive dhe individuale. Pikëzimi për sportet kolektive dhe individuale bëhet në 4 grupe, A, B, C dhe D. Më konkretisht, Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me sporte kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3,400 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 2,000 euro.
Për grupin B vlera e pikës është 1,600 euro, për grupin C vlera e pikës është 1,200 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro. Ndërkaq, me vendimin e saj, Ministrja në detyrë e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Dumoshi ka caktuar vlerën financiare të pikëve për sportistët dhe trajnerët. Vlera e pikës është në shumën prej 150 euro edhe për sportistë edhe për trajnerë. Për të dyja vendimet Departamenti i Sportit do të jetë i detyruar t’i zbatojë në raport me caktimin e përkrahjes financiare të federatave sportive në Kosovë.
Kështu, Federata e Futbollit të Kosovës ndodhet në kategorinë A dhe ka 79.28 pikë, dhe si rrjedhojë e kësaj, këto pikë do të shumëzohen me 3,400 euro, që nënkupton se organizmit që qeveris futbollin në Kosovë do t’i takojnë 269,552 euro.