AlbanianSport.com 17/03/2020 19:50
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin kontinental merr vendimin e jashtëzakonshëm prej koronavirusit. Përmes kësaj video-konference, të mbajtur të martën pasdreke, UEFA mbajti një takim i jashtëzakonshëm për të reflektuar mbi situatën aspak normale për shumë vende evropiane dhe më gjerë, nga përhapja e virusit COVID-19. Federatat anëtarë pranuan në parim një sërë propozimesh të organizmi që qeveris futbollin kontinental, ku spikati vendimi i “EURO 2020”-ës për në muajt qershor-korrik të vitit të ardhshëm.
Organizmi që qeveris futbollin evropian, UEFA, thirri të martë në mesditë një video-konferencë përmes internetit me të gjitha federatat anëtare të saj. Ky takim i jashtëzakonshëm zhvillohet në një situatë aspak normale për shumë vende evropiane dhe më gjerë, nga përhapja e virusit COVID-19. Krahas shumë fushave të jetës në kontinentin e vjetër, edhe futbolli ka ndalur tashmë. Përmes kësaj video-konference, UEFA vendosi krijimin e një grupi të posaçëm pune për të rakorduar kalendarët e rinj të veprimtarive, që u vendos në këtë takim.
Në takim u theksua se UEFA po punon intensivisht për të pasur skenarë në çdo situatë të mundshme që mund të përballet Evropa. Federatat anëtarë pranuan në parim këto propozime të UEFA-s, dhe, lidhur me veprimtaritë e ekipeve përfaqësueses, u vendos shtyrja e EURO 2020-ës për në muajt qershor-korrik 2021 (11 qershor-11 korrik 2021). Po kështu, ndeshjet ndërkombëtare të marsit shtyhen për në dritaren ndërkombëtare të qershorit 2020, ndërsa do të vendosen data të reja për ndeshjet e eliminatore evropiane (që ishin planifikuar për në qershor 2021.
Do të ndryshojnë datat e veprimtarive të tjera që ishin planifikuar mes muajve qershor-korrik 2021, siç është 4-shja finale e Ligës së Kombeve të Evropës, Evropiani i Nën-21-vjeçarëve dhe Evropiani i femrave. Lojtarët do të lejohen nga klubet të marrin pjesë në ndeshjet kombëtare bazuar në data e reja të këtyre veprimtarive. Lidhur me ndeshjet e klubeve, UEFA kërkon përpjekje maksimale nga të gjitha garat vendore dhe evropiane të klubeve që të mbyllin sezonin më 30 qershor 2020.
Po kështu, kërkohet kufizim i hapësirave përgjatë javëve në mënyrë që të mund të përdoren nga ligat kombëtare si dhe UEFA. Në përfundim, UEFA kërkon gjetjen e një zgjidhjeje dhe adaptimi të mundshëm për turet eliminatore të veprimtarive të UEFA-s për klubet për sezonin 2020-2021 pas përfundimit të ligave dhe sezonit evropian më 30 qershor të këtij viti.