AlbanianSport.com 15.05.2016 20:20
ASNN – Pas një sezoni mes shumë vështirësive, paragjykimeve, dhune nëpër stadiume e jashtë tyre, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë ka marrë vesh verdiktin final. Korabi nga grupi i Veriut dhe Luftëtari nga grupi i Jugut janë dy skuadrat që sigurojnë të drejtën të ngjiten në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar, në Kategorinë Superiore.
Ndeshjet e së shtunës ishin të fundit në Kategorinë e Parë dhe u përcaktuan dhe skuadrat që do të ngjiten në Kategorinë dhe ata që do të zbresin në Kategorinë e Dytë, si dhe ekipit që do të shkojnë në “play-out”. Korabi është skuadra që do të prekë Superiore për herë të parë që nga krijimi i klubit 54 vite më parë.
Dibranët kanë bërë “mrekullinë” dhe në ndeshjen e fundit, të luajtur në Shkodër, kanë mundur pikërisht skuadrën që bie nga Kategoria këtë vit, Adën e Velipojës. Pas triumfit, protagonistët kanë rrëfyer emocionet e suksesit, duke ia atribuuar këtë arritje të gjithë atyre që kontribuuan për ta bërë realitet, sidomos tifozerisë.