AlbanianSport.com 14/11/2018 19:50
ASNN – 23-vjeçari Uzuni, i cili po shkëlqen në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit shpreson që të lërë shenjë edhe me Shqipërinë në dy takimet e radhës. Në konferencën për shtyp të Kombëtares, ditën e sotme, krahas Veselit doli dhe sulmuesi Myrto Uzuni, i cilësuar si një futbollist me të ardhme, nisur nga paraqitjet e tij vërtet mbresëlënëse me Lokomotivëne Zagrebit, por edhe në dy ndeshjet e muajit tetor me Kombëtaren ndaj Jordanisë dhe Izraelit.
Uzuni deklaroi sot se e priste me padurim golin si kuqezi, një gol që ai e quajti për veten, familjarët dhe Shqipërinë. “Ndihem shumë mirë, por vëmendja nuk është te unë por te grupi”, – theksoi Uzuni, i cili më tej vijoi: “Shqipëria ka pikën e vet më të fortë grupin, gjithmonë kështu ka qenë.” Ka gjasa të mëdha që ai të startojë titullar në këtë ndeshje nisur nga mungesa në krahun e djathtë të Odise Roshit. “Unë jam i gatshëm të luaj kudo, ku ekipi ka nevojë”, – tha Uzuni
“Të shënosh me një klub është kënaqësi, por të shënosh me Kombëtaren bën krenare gjithë Shqipërinë dhe familjen. Kjo është gjëja më e bukur”, – përfundoi ish-futbollisti i Laçit. – Vetë trajneri Kristian Panuçi deklaroi në prezantimin e listës së të zgjedhurve të tij se kishte besim të madh tek dy element të rinj, Grezda dhe Uzuni, që sipas tij janë në gjendje të bëjnë diferencë. Shpresohet që ish-sulmuesi i Laçit në Superiore këtë herë të gjejë rrugën e rrjetës.