AlbanianSport.com 03.09.2017 16:50
ASNN – Pasi ka bërë “detyrën e shtëpisë” ndaj Lihtenshtejnit të shtunën në Stadiumin “Elbasan Arena”, Kombëtarja kuqezi e ka hedhur vështrimin drejt sfidës me Maqedoninë.
Duke folur gjatë konferencës për shtyp të së dielës, dy futbollistët kuqezi, Odise Roshi dhe Azdren Llullaku, e kanë cilësuar Maqedoninë si një kundërshtar më të vështirë, sidomos në shtëpi.
Si Roshi, ashtu edhe Llullaku shpresojnë që sfida e Strumicës të mbetet larg tensioneve. Mesfushori kuqezi e sheh Maqedoninë si një kundërshtar që vjen mjaft më e përgatitur psikologjikisht pas fitores në Izrael.
Ndërkohë, përtej ngarkesës emocionale, Llullaku mendon se Shqipëria duhet të luajë për fitoren dhe për tifozët ndaj Maqedonisë. Ndeshja Maqedoni-Shqipëri do të luhet të martën e 5 shtatorit, duke nisur nga ora 20:45 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.