AlbanianSport.com 04/10/2021 20:10
ASNN – Gjatë konferencës për shtyp, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, ka theksuar se është i përqendruar te lojtarët që ka në dispozicion. Reja shprehu bindjen se grupi aktual ofron alternativa për të bërë zgjedhje në çdo repart dhe shtoi se këtë herë do të ketë gati një javë kohë për të parë gjendjen e secilit lojtar. Duke iu referuar fazës mbrojtëse, ai tha: “Më duhet gjithmonë të bëj zgjedhjet e mia, po të shikoni listën do të vini re se kam marrë dy lojtarë për çdo rol të fushës, kështu që nëse bëni llogaritë, nuk është ndonjë numër i ekzagjeruar”.
“Kam 3 lojtarë që luajnë në qendër, si zakonisht, – ka vijuar trajneri veteran. – Por kam marrë 6 në këtë rast, ka ardhur edhe Dermaku që është rikuperuar, pasi ka munguar në ndeshjet e kaluara. Tashmë e ka kaluar dëmtimin dhe po rikuperohet, ashtu sikurse Veseli që ka pasur probleme fizike dhe jam shumë kureshtar t’i shikoj gjatë javës, në çfarë gjendje janë dhe pastaj të bëj vlerësimet e mia. Kam marrë Balliun, i cili po bën shumë mirë me klubin në La Liga në Spanjë, është një lojtar që e kam ndjekur dhe mund të na vlejë shumë për të ardhmen.”
“Sa i përket pjesës sulmuese, në bazë të asaj që unë do të shoh gjatë kësaj jave, do të bëj edhe zgjedhjet e mia, – ka theksuar italiani. – Sigurisht, është diçka e mirë që do të kemi një javë kohë për të punuar dhe për të parë nga afër të gjithë grupin e lojtarëve. Sa i përket Manaj, dje luajti 90 minuta, sigurisht nuk është e thjeshtë të bëhet integrimi, pasi sapo është transferuar te Specia, ka luajtur dy herë nga 20 minuta. Do ta shoh këtë javë, është e rëndësishme që ai është stërvitur me ekipin dhe më duhet ta shoh se në çfarë gjendje është.”
“Edhe Cikalleshi ka luajtur vazhdimisht me klubin, Broja gjithashtu. Mendova të marr sa më shumë lojtarë pasi kemi një javë kohë dhe t’i shoh gjatë javës. Deri të shtunën do të them me siguri të plotë se në ç’gjendje janë lojtarët”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares kuqezi, Edoardo Reja.