AlbanianSport.com 31/08/2019 19:05
ASNN – Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp nga mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), ku ka shpallur listën e futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet eliminatore të “EURO 2020”-ës. Shqipëria do të luajë më datë 7 shtator 2019 ndaj Francës në fushën e kësaj të fundit dhe më datë 10 shtator 2019 me Islandën, në Stadiumin “Elbasan Arena”. Në fjalën e tij, Edoardo Reja u shpreh: “Kërkoj ndjesë për intervistën e fundit për pyetjen me 3 mbrojtës, nuk e kisha kuptuar”.
“Ndodh me raste pas ndeshjeve që të jesh në këto situata ndaj kërkoj edhe një herë falje për situatën, e nuk do të ndodhë më, – ka vijuar veterani i stolit kuqezi. – Duke kaluar te skuadra ka disi risi se ka emra të rinj që nuk i njihja por ju po, janë lojtarë të rinj që kanë shpërthyer në arenën ndërkombëtare, por unë nuk i njihja. Për shembull është Manaj apo Gjasula, i cili vitin e kaluar fitoi kampionatin e tani e nisi titullar. Një lojtar me karakteristika që mund të na ndihmojë në mesfushë. Është Binaku që ka qenë më para.”
“Pastaj janë në listë pritje shumë lojtarë, them Seferin që ka shpërthyer në këtë sezon, por në krahasim me të tjerët është në këtë moment më mirë, – ka theksuar 73-vjeçari. – Kumbulla mbase nuk është 100% i pjekur si lojtar, por do t’i japim minuta dhe do ta ndjekim deri në fund. Do doja të shihja në ekip Baren, i cili ka qenë përpara me ekipin e tij dhe do ta kemi në vëzhgim me kombëtaren. Kemi thirur shumë lojtarë të rinj në këtë listë. Federata më ka dhënë detyrë të bëjë sa më mirë, por edhe të sjellim lojtarë të rinj. Kemi lojtarë të Shpresave që kanë qenë më përpara.”
“Jemi të fokusuar në dy ndeshjet me Francën dhe Islandën, por do të kujdesem edhe për lojtarët e rinj, – ka këmbëngulur trajneri i Kombëtares. – Luajmë kundër një ekipi me futbollistë të mëdhënj. Ne shkojmë për të vendosur në vështirësi Francën dhe duam të bëjmë paraqitje të mira. Ne mund të përsërisim paraqitjet e mira me Francën. Shpresoj të marrim dhe rezultat me kampionët e botës. Në ndeshjen ndaj Islandës luajtëm shumë mirë, patëm rënie ndaj Moldavisë dhe tani duhet të rikthehemi me paraqitje të mira. Francën e njohim, por nuk e di me çfarë sistemi do të luajnë.”
“E dimë se janë shumë më të fortë se ne, por duhet të bëjmë paraqitje të mirë dhe t’i vendosim në vështirësi, – ka thënë Reja në vazhdim. – Nuk mund ta them se si. Duhet të zbresin në fushë lojtarët më të mirë fizikisht. Jam i shqetësuar pak, pasi disa kanë luajtur, disa jo. Disa nuk janë me ekipe, nuk jemi të vetmit, pasi kanë dhe ata disa futbollistë që nuk kanë minuta në këmbë. Më vjen mirë që ai na vlerëson dhe ka thënë se jemi ekip i fortë dhe do të jetë një ndeshje e ndërlikuar. Do mundohemi të marrim maksimumin. Mbapeja sigurisht që është lojtar më cilësi.”
“Po atje mjafton të mbyllësh sytë e janë të gjithë të fortë se kanë përvojë ndërkombëtare, – ka theksuar italiani. – Ne duhet të shkojmë të bindur por jo të hyjmë në fushë me frikë. Nuk kemi të njëjtët shanse në të dyja ndeshjet. Duhet të dalim me fitore me Islandën dhe të përmirësohemi në renditje. Askush nuk e priste që Turqia të fitonte ndaj Francës, pse mos të marrim edhe ne pikë. Ndaj Islandës nuk duhet të gabojmë se i kemi kundërshtar direkt. Më ka pëlqyer qëndrimi i disa lojtarëve që kanë punuar me një motivim të lartë.”
“Dua që djemtë e mi të kenë dhënë 100% të energjive të tyre dhe duhet të punojmë të gjithë në të njëjtën rrymë, – ka thënë Reja. – De Biazi ka bërë shumë mirë me grupin e tij dhe nuk e di nëse do arrijmë sukseset e atij grupi do të mundohemi të bëjmë dhe ne të njëtën gjë. Është e vërtëtë me Francën, Shqipëria ka bërë një ndeshje të mirë në çdo nivel. Ne jemi në fazë ndërtimi, kemi ndryshuar module dhe lojtarë. Shpresoj që të bëjmë mirë dhe besoj që në Francë të marrim një rezultat pozitiv. Mbetet për t’u parë se si do të përgjigjen lojtarët, pasi dëshira është e madhe.”
“Migjen Basha ka qenë lojtari i parë që kam njohur, pasi kam shkuar në Greqi për Kaçen dhe Mihajn. Ai ka pasur një disponueshmëri të paparë për të më ndihmuar. Normalisht me moshën që ka, prioritet është familja, duhet të filloj ta shikojë të ardhmen në një mënyrë tjetër, ashtu si unë duhet të punojë me disa lojtarë të rinj. Më ngelet ta falenderoj për ndihmën dhe shpresoj që Federata ta marrë parasysh ndihmën e tij”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares, Edi Reja.