AlbanianSport.com 19/02/2019 17:35
ASNN – Shënojnë kuqezinjtë, trajnerit të Kombëtares po i rrëzohet alibia në prag të Turqisë. Në fakt, lajtmotivi i tij në të gjitha intervistat e dhëna pas ndeshjeve të skuadrës së tij sidomos në Ligën e Kombeve, aty ku Shqipëria shënoi vetëm një gol dhe pësoi 8 në 4 ndeshjet ku korri një fitore dhe pësoi 3 humbje, kanë qenë mungesat dhe lojtarët e dëmtuar, sidomos në repartin e sulmit. Por, me afrimin e pranverës, duket se Kristian Panuçit nuk po i çel vetëm një lule, por një buqetë e tërë.
Gjysma e dytë e sezonit, edhe për shkak të lëvizjeve në merkato, ka bërë që një numër futbollistësh kuqezinj, të shpërthejnë në gola. Dhe fundjava që shkoi ishte dëshmi e faktit që Panuçi mund të mos ketë më alibi kur të vijë 22 marsit dhe sfida e “Loro Boriçit” me Turqinë. Autori i të vetmit gol në fazën finale të një Kampionati Evropian, Armando Sadiku, duket se e ka lënë pas dëmtimin dhe periudhën e vështirë tek Levante në Spanjë.
Dhe nuk ka vonuar ta gjejë rrugën e rrjetës në rikthimin e tij tek Lugano në kampionatin zviceran. Edhe Sokol Cikalleshi po luan dhe po shënon në Turqi, tanimë me fanellën e Akhisarsporit, ndërsa në krahun tjetër, janë një numër lojtarësh të rinj, të pjesës së avancuar të mesfushës apo edhe të sulmit, që po spikatin. Kristal Abazaj ka patur nevojë për vetëm 11 minuta, për të gjetur golin e tij të parë me Osijekun në kampionatin kroat.
Shqiptari, i cili nuk arriti të gjente hapësirën e duhur në kampionatin belg tek Anderlehti, i cili e huazoi gjatë merkatos së janarit tek klubi kroat, është futur në lojë në minutën e 57-të dhe atë të 68-të, ka realizuar një gol të bukur, që i ka mjaftuar Osijekut të mposhtë minimalisht Istrën. Në Greqi po spikat shqiptari tjetër i Panioniosit, Fiorin Durmishajt, ndërsa Myrto Uzuni është konfirmuar tanimë titullar tek Lokomotiva e Zagrebit, ku edhe po shënon në përqindje të kënaqshme.
Rej Manaj u ndal vetëm nga dëmtimi tek Albasete në Spanjë, ndërsa një tjetër kandidaturë dinjitoze kuqezi, si Françesko Tahiraj, e mbylli gjysmën e parë të sezonit midis shënuesve më të mirë në Slloveni, përpara se të zhvendoset në Kroaci tek Hajduku i Splitit, ku ka nisur të konsolidohet.
Ndërkaq, me një dyshe portierësh si Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha në dispozicion, por edhe aktivizimet e kënaqshme të Berat Gjimshitit, Elseid Hysajt dhe Frederik Veselit në Serinë A në Itali, të Taulant Xhakës, Burim Kukelit dhe Ermir Lenjanit në Zvicër, apo Ansi Agollit e Sabien Lilajt në Azerbajxhanit, trajneri i Kombëtares mund të mos ketë më shfajësime për përballjen e parë të Eliminatoreve të Evropianit me Turqinë.
Sepse tanimë, pranvera po i vjen me shumë lule…