AlbanianSport.com 23.05.2016 16:15
ASNN – Nisin ethet e Euro 2016 për Kombëtaren e futbollit. Kuqezinjtë kanë mbërritur në Austri, ku do të zhvillojnë fazën përgatitore deri në prag të nisjes për në Francë. Në 26 dhe 29 maj 2016, kombëtarja do të luajë dy miqësore me Austrinë dhe Katarin. Ndërsa në 3 qershor luan një miqësore të rëndësishme me Ukrainën, ekip që është i kualifikuar për në Francë.
Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbërritur në Austri. Kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Xhani De Biazi dhe stafit të tij do të zhvillojnë përgatitjet për në Euro 2016. Ekipi shqiptar është akomoduar në hotel “Falkenshtainer” ne Waldersdofer. Për 10 ditë kjo do të jetë rezidenca e Kombëtares shqiptare të futbollit. Sot skuadra ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në Austri.
Në dispozicion të trajnerit De Biazi janë vënë fillimisht futbollistët që luajnë në skuadrat në Evropë. Sot ekipit do t’i bashkohen edhe të tjerët që luajnë në kontinente të tjera. Programi stërvitor i përgatitur nga trajneri De Biazi dhe stafi i tij është i detajuar për lojtarët. Në mënyrë që ata të mos bien në gjendje pauze, kur dihet që sapo kanë përfunduar ndeshjet në kampionatet ku luajnë.
Deri në fund të muajit maj, kombëtarja do të zhvillojë dy miqësore, me Austrinë vendase në 26 dhe me Katarin në 29 maj. Faza përgatitore do të mbyllet me ndeshjen miqësore të 3 qershorit. Kuqezinjtë do të përballen me Ukrainën në Itali në ndeshje kjo që do të luhet në stadiumin e Bergamos. Ky është një test mjaft i rëndësishëm për De Biazin dhe vetë futbollistët.
Kjo pasi Ukraina është një nga skuadrat e kualifikuara për në finalet e Evropianit “Francë 2016”. Më pas në 6 qershor 2016, ekipi niset në Francë në pritje të sfidave të Evropianit.