AlbanianSport.com 22/06/2020 20:10
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, ka zyrtarizuar kalendarin e rishikuar të veprimtarisë së dytë të përfaqësueseve, Ligës së Kombeve të Evropës, që në 1/3-ën e fundit të këtij viti do të nisë edicionin e saj të dytë. Siç dihet shorti e ka vendosur Shqipërinë në grupin e 4-t të nivelit të 3-të të kësaj veprimtarie, që njihet si Liga C, dhe përballë do të ketë një sfidë ish-sovjetike në trajtën e Bjellorusisë, Lituanisë dhe Kazakistanit.
Dhe kuqezinjtë e nisin gjithçka në mbrëmjen e së premtes së 4 shtatorit 2020, në orën 20:45, në Minsk ndaj Bjellorusisë vendase, për të vijuar të presin në Tiranë Lituaninë 3 ditë më pas, në të njëjtin orar. Një tjetër udhëtim i gjatë e pret Kombëtaren mëse një muaj më pas, më 10 tetor 2020, për t’u përballur në Kazakistan me përfaqësuesen vendase, në takimin që nis në ora 15:00. Dhe nga skaji lindor i Evropës, skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Reja, do të udhëtojë drejt skajit verior.
Më saktë, drejt Vilniusit, ku, duke nisur nga ora 20:45, kuqezinjtë do t’i kthejnë vizitën Lituanisë vendase më 13 tetor 2020, për ta mbyllur pjesëmarrjen e tyre në grupin e 4-t të Ligës C të Ligës së Kombeve të Evropës me dy sfidat e 10-ditëshit të dytë të nëntorit, që do t’i luajë në fushën e vet. Fillimisht, Shqipëria do të presë Kazakistanin, në takimin e 12 nëntorit, që nis në ora 20:45, për ta ulur siparin me përballjen e 3 ditëve më pas me Bjellorusinë, që nis në ora 15:00.
Liga e Kombeve të Evropës
Liga C
Grupi 4
Të premten, 4 shtator 2020:
Bjellorusi – Shqipëri (20:45)
Të hënën, 7 shtator 2020:
Shqipëri – Lituani (20:45)
Të shtunën, 10 tetor 2020:
Kazakistan – Shqipëri (15:00)
Të martën, 13 tetor 2020:
Lituani – Shqipëri (20:45)
Të enjten, 12 nëntor 2020:
Shqipëri – Kazakistan (20:45)
Të dielën, 15 nëntor 2020:
Shqipëri – Bjellorusi (15:00)