AlbanianSport.com 05/10/2021 19:25
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kuadër të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Dhe të martën, në një konferencë për shtyp kanë dalë dy nga futbollistët e Kombëtares, Ermir Lenjani dhe Nedim Bajrami, të cilët kanë folur për këto ndeshje dhe për dy rivalët direktë në grup për vendin e dytë. Fillimisht ishte Ermir Lenjani ai i cili iu përgjigj interesit të mediave, ku theksoi se fokusi kryesor është te forca e vetë ekipit, ndërsa u shpreh se skuadra fillimisht mendon vetëm ndeshjen ndaj Hungarisë.
Mungesa e tifozëve në vizitën hungareze është një plus për kuqezinjtë sipas Lenjanit, i cili gjithashtu mendon se Kombëtarja aktuale është e mbushur me talente. “Jam gati për këto dy ndeshje që kemi dhe fizikisht kam pasur një dëmtim të vogël, por tani ndihem shumë mirë”, – ka thënë fillimisht futbollisti që militon në radhët e Gras’hopersit në kampionatin zviceran. – Atmosfera në grup është e mirë dhe të gjithë ndihemi shumë të mirë e të lumtur me shokët. Tani mendojmë për ndeshjen me Hungarinë, pasi është shumë e rëndësishme për ne. Do të fokusohemi më shumë të forca jonë dhe do shohim si do ecë loja.”
“Nuk e di a do të luaj, pasi e vendos trajneri, – ka vijuar ai. – Ta shohim këtë javë si ecën në stërvitje dhe se çfarë mendon, pasi është ai që vendos. Polonia? Mendoj që, së pari, të fokusohemi te Hungaria. Kemi cilësi të mira si lojtarë individualisht, por edhe si ekip. Por siç e thashë, do të fokusohemi te forcat tona, për të shpalosur cilësitë që kemi dhe të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas mendojmë Poloninë.” Po a është mungesa e tifozëve në “Pushkash Arena” të Budapestit, me Hungarinë të ndëshkuar UEFA, në favor të kuqezinjve? Hungaria i ka tifozët shumë të flaktë dhe stadiumi është i mbushur”, – pohoi 32-vjeçari
“Prandaj mendoj që është shumë mirë për ne, por duhet të fokusohemi te vetja për të arritur qëllimin, – ka vijuar ai. – Mendoj që tani i kemi shumë lojtarë me cilësi, që luajnë në Evropë, në shumë kampionate të mira dhe në Ligën e Kampioneve dhe mendoj që tani jemi shumë më të fortë. Personalisht, mendoj vetëm të jap gjithçka në fushë kur të hyj dhe shpresoj të kemi suksese.” Në mbyllje, Ermir Lenjani ka komentuar edhe tërheqjen e Migjen Bashës nga futbolli. “Migjeni ka bërë një karrierë shumë të mirë dhe ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne të gjithë. I uroj gjithë të mirat”, – ka përfunduar futbollisti kuqezi.