AlbanianSport.com 01/09/2021 23:10
ASNN – Kuqezinjtë, seancë 60-minutëshe në stadiumin ku do të luhet të enjten ndeshja. Kombëtarja kuqezi u ka dhënë të mërkurën në mbrëmje dorën e fundit përgatitjeve në fushë për ndeshjen e së enjtes në fushë të huaj ndaj Polonisë, një nga sfidat më të rëndësishme kjo në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.
Nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit të tij teknik, kuqezinjtë u stërvitën në stadiumin ku edhe do të luhet ndeshja, “PGE Narodovi” të Varshavës, në një kompleks modern që pret vetëm ndeshjet e përfaqësueses polake. I gjithë grupi ka qenë në dispozicion të trajnerit dhe seanca stërvitore ka zgjatur për rreth 60 minuta me ekipin që ka provuar vazhdimisht skema dhe vendosje taktike.
Sipas asaj që raportojnë burime pranë ekipit kuqezi, nuk ka asnjë shqetësim prej dëmtimeve dhe të gjithë futbollistët do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Poloninë, që luhet të enjten, duke nisur nga ora 20:45. Në stadium pritet të jenë edhe rreth 30 mijë tifozë, që përkthehet në mbi 50% të kapacitetit të stadiumit, një numër i madh ky përtej kufizimeve prej masave për mbrojtjen nga “Covid-19”.
Pas 3 ndeshjeve të luajtura deri më tani nga të dyja skuadrat, Shqipëria mban vendin e 3-të të renditjes, me 6 pikë të marra pas dy fitoresh dhe një humbjeje, ndërsa Polonia është një shkallë më poshtë, në vendin e 4-t, me dy pikë më pak, pas një fitoreje, një barazimi dhe një humbjeje. Takimi do të gjykohet në fushë nga një treshe italiane, me kryesor Mauricio Marianin, dhe anësorë Filipo Melin dhe Çiro Karbonen, ndërsa do të përdoret edhe Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR).