AlbanianSport.com 03/09/2021 21:25
ASNN – Kuqezinjtë, seancë 60-minutëshe në Durrës, lojtarët të ndarë në dy grupe. Kombëtarja kuqezi është rikthyer të premten në Shqipëri dhe ka nisur në kampin e saj stërvitor në Durrës përgatitjet për sfidën e radhës, që është ndeshja e 5 shtatorit me Hungarinë. Kjo ndeshje do të luhet të dielën, në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Vetëm 20 orë pasi është mundur në Varshavë, 1-4 përballë përfaqësueses vendase, Polonisë, Kombëtarja kuqezi ka mbërritur në Shqipëri dhe ka nisur në kampin e saj stërvitor në Durrës përgatitjet për sfidën e radhës, që është ndeshja e 5 shtatorit me Hungarinë. Kjo ndeshje do të luhet të dielën, në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Në fakt, kjo është njëra nga 3 sfidat më të rëndësishme që kuqezinjtë do të luajnë gjatë këtyre 10 ditëve të para të shtatorit në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”. Nën drejtimin e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit të tij teknik, për rreth një orë, lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen ndaj Polonisë kanë zhvilluar stërvitje të veçuar, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve ka zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë fizike.
I pranishëm në këtë seancë ka qenë edhe Nedim Bajrami, i cili pasi mori dritën jeshile nga CAS për të luajtur me Shqipërinë, është bashkuar me kuqezinjtë dhe do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës ndaj Hungarisë dhe San Marinos. Ndërkaq, zyra e shtypit në FSHF bën të ditur se dy futbollistët Enest Muçi dhe Mario Mitaj, pas stërvitjes me Kombëtaren e të rriturve, kanë udhëtuar në mbrëmje drejt Elbasanit për t’u bashkuar me Kombëtaren Nën-21-vjeçarëve.
Të dy lojtarët do të vihen në urdhrat e trajnerit të Shpresave, Alban Bushi për ndeshjen e vlefshme për Eliminatoret e Evropianit për Nën-21-vjeçarët ndaj Republikës Çeke. Kësisoj, lista e Kombëtares së të rriturve përbëhet aktualisht nga 26 lojtarë. Duhet theksuar se, për shkak të kartonëve të shumtë të marrë të enjten përballë Polonisë, Reja nuk do të ketë shërbimet e Keidi Bares, Rei Manajt dhe Elseid Hysajt, që janë të pezulluar. Të shtunën kombëtarja do të zhvillojë edhe përgatitjet e fundit para ndeshjes me Hungarinë që luhet më 5 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”.