AlbanianSport.com 25/03/2022 20:10
ASNN – Trajneri Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, dhe kapiteni Elseid Hysaj, kanë dalë ditën e premten në konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes miqësore që Shqipëria do të luajë të shtunën në mbrëmje, në orën 19:45 në Barcelonë, ndaj Spanjës. Kapiteni Hysaj u ndal ndërkohë tek forca e kundërshtarëve që kanë përballë nesër dhe nënvizoi se skuadra duhet të jetë kompakte për të bërë një paraqitje të rëndësishme.
“Normal që eshte një ndeshje shumë e bukur për të gjithë, ҫdo lojtar dëshiron të jetë në fushë, – ka pohuar ai. – Për ne është një karikim shumë i madh sepse kemi përballë një skuadër të madhe si Spanja,siҫ e dinë të gjithë. Do të japim maksimumin dhe shpresojmë që të marrim një rezultat pozitiv që do na ndihmojë për të ardhmen tonë. Dihet që Spanja është një nga skuadrat më të mirë për mbajtjen e topit dhe bën lojë të shpejtë.”
“Ne kemi provuar këtë ditë dy mënyra që duhet të bëjmë mirë në fushë: e parë që duhet të qëndrojmë të kujdeshëm mbrapa duke pritur dhe e dyta që, nëse shikojmë se kemi një mundësi të mirë për të sulmuar ose bërë presion, do të shkojmë përpara, – ka vijuar shkodrani kuqezi. – Nesër për mbrojtjen do të jetë një test i madh sepse Spanja është një skuadër e madhe që bën lojë të shpejtë, mbajnë mirë topin siҫ e thashë edhe më parë dhe për ne do të jetë një sprovë e madhe.”
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Po i mungonin njëri-tjetrit sepse kishim disa muaj që nuk po takoheshim dhe grumbulloheshim. Me të vërtetë jemi shumë mirë, të kënaqur që jemi prap bashkë dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin nesër”, – ka përfunduar kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj, duke folur përpara mediave të pranishme në Stadiumin “RDCE” të Barcelonës, në prag të miqësores me Spanjën. Shqipëria përballet të shtunën në mbrëmje me Spanjën, në takimin që do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.