AlbanianSport.com 07/10/2021 18:40
ASNN – Kombëtarja shqiptare po përgatitet intensivisht për dy nga ndeshjet më të rëndësishme të Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, atë ndaj Hungarisë dhe Polonisë. Dy ditë përpara sfidës së parë ndaj Hungarisë në fushë të huaj, kanë dalë në një konferencë për shtyp kuqezinjtë Elseid Hysaj dhe Sokol Cikalleshi, të cilët janë ndalur të flasin për këtë ndeshje të parë që do të zhvillohet në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest. Hysaj u shpreh se skuadra është gati për këtë sfidë, duke theksuar se djemtë janë përgatitur mjaft mirë, ndërsa tha se drejt Hungarisë do të shkojnë vetëm për fitore.
“Skuadra është e gatshme për këtë ndeshje sepse siç e kemi parë edhe në ndeshjet e kaluara që kemi luajtur shumë mirë, – ka thënë futbollisti shkodran. – Kemi analizuar edhe ndeshjen e kaluar me trajnerin dhe jemi duke përgatitur këtë ndeshje në mënyrë sa më të mirë të mundshme dhe besoj se jemi gati për këtë ndeshje. Me Poloninë kemi gabuar ne, e kemi thënë edhe kur mbaroi ndeshja, në disa raste. Por kemi studiuar Hungarinë sepse është një ndeshje e rëndësishme. Po nuk fituam këtë, me Poloninë është pak më ndryshe. Ne duhet të shkojmë tani në Hungari, ta fitojmë ndeshjen atje.”
“Dhe pastaj të mendojmë mirë për Poloninë se si duhet të përballemi, – ka vijuar ai. – Me sa pikë do të jemi të kënaqur në këto dy ndeshje? Me 6 pikë, ne shkojmë për 6 pikë. Me të gjithë këta lojtarë që kemi në grup, shkojmë moralisht shumë lart për t’i fituar të dyja sepse i kemi mundësitë. Duhet të besojmë te vetja jonë. Shpresoj që të japim maksimumin, mos të bëj gabime dhe shpresoj ndonjë gol për Cikalleshin apo sulmuesin që do të bëjë golin. Unë besoj se nuk do të jetë presion, por shpresoj që çunat ta marrin sa më “ vështirë” këtë ndeshje sepse me të vërtetë është një ndeshje e rëndësishme për ne, që të shkojmë të përqendruar për të dhënë maksimumin dhe për të dalë më tre pikët”, – ka përfunduar futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj.