AlbanianSport.com 30/08/2021 20:10
ASNN – Në mesfushën kuqezi rikthehet Klaus Gjasula, i cili në prononcimin e tij përpara mediave të hënën u shpreh se është gjithmonë gati për Kombëtaren. Gjasula theksoi se ekipi ka treguar në ndeshjet e fundit një rritje, si dhe u shpreh se pavarësisht kundërshtarit që do të luajnë, do të japin maksimumin, pasi është një ndeshje e rëndësishme. Edhe për Klausin, rikthimi i tifozëve në stadiume është një lajm i gëzueshëm, teksa foli edhe për të ardhmen e tij me Darmshtadtit, ekipi ku u transferua pak javë më parë.
“Ndihem gjithmonë gati për të luajtur me Kombëtaren, – thotë ai, duke iu referuar 3 ndeshjeve të 10-ditëshit të parë të shtatorit. – Për mua është e rëndësishme tani që të bëj prapë minuta në fushë, sepse më ka munguar. Prandaj bëra këtë hap, te një klub pak më i vogël, për të luajtur dhe për të qenë gati për Kombëtaren. Ndeshjet e fundit që kemi pasur e kanë treguar që fryma është shumë e mirë, që po rritemi bashkë dhe më e rëndësishme është që t’i fitojmë ndeshjet, pasi po fituam ndeshjet, secili ka më shumë besim dhe rritesh akoma më shpejt.”
“Fryma është e mirë, përzierja e lojtarëve me pësojë dhe lojtarëve të rinj është shumë e mirë, harmonia është e mirë dhe më bëhet qejfi që jam këtu, – ka vijuar ai më tej analizën e tij. – Ne kemi edhe mesfushorë të mirë. Unë besoj, se secili prej tyre ka cilësitë e veta. Si ekip, nuk kam dëgjuar që në mesfushë, mbrojtje apo sulm jemi dobët. Ne kemi bërë paraqitje të mira dhe aty do të provojmë të vazhdojmë. Ndeshja nuk fitohet apo humbet në sulm, mesfushë apo mbrojtje. Jemi të gjithë si ekip për atë punë aty.
“Pra, që të forcohemi bashkë dhe do të provojmë më të mirën dhe do të japim maksimumin”, – ka shtuar 31-vjeçari, i cili më pas ka folur edhe për kundërshtaren e radhës, Poloninë, duke thënë: “Është një ekip me shumë përvojë dhe cilësi. Pa diskutim, edhe Gjimshiti e tha që kanë lojtarë që luajnë në ekipet më të mira në botë. Edhe pse nuk luajtën mirë në Evropian, kanë cilësitë e tyre dhe e dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Do të kemi respekt përballë kundërshtarit, por frikë asnjëherë.”
“Po të japim ne maksimumin dhe secili të tregojë cilësitë e tij, besoj se i kemi të gjitha mundësitë”, – thotë mesfushori i Darmshtadtit, i cili është pyetur sesa mund ta ndihmojë njohja e lojtarëve polakë që luajnë në Gjermani. “Këtë nuk e di, – është përgjigjur Gjasula. – Po ta fitojmë ndeshjen, është një plus për ne. Po ta humbim ndeshjen, nuk është mirë për ne. Prandaj, do të japim maksimumin, do ta kemi mendjen tek ne dhe jo te kundërshtari, që secili të ketë një formë të mirë dhe pastaj do të shohim si do të dalë.”
Edhe ai është i lumtur me rikthimi i tifozëve në stadium në dy ndeshjet e radhës, teksa thotë: “Çdo futbollist gëzohet shumë dhe është i lumtur se do të vijnë tifozët në stadium sepse kështu e kemi mësuar futbollin, që të vegjël. Futbolli pa tifozë nuk është njësoj, mungojnë emocionet dhe besoj edhe për ne është shumë e rëndësishme të vijnë tifozët. Tani kemi njëherë ndeshjen me Poloninë atje, sepse është e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mirë dhe për ato dy ndeshje do të shohim më vonë.”
“Është e rëndësishme ta lëmë grupin hapur për ndeshjet në fund, që të kemi mundësi për t’i arritur të gjitha. A kemi shpresë për t’u kualifikuar? Është herët për të folur. Të përqendrohemi fillimisht te Polonia, të kapim sa më shumë pikë që kemi mundësi në këto 3 ndeshje dhe pastaj të shohim”, – ka përfunduar mesfushori i Kombëtares kuqezi, Klaus Gjasula.