AlbanianSport.com 15/11/2018 20:30
ASNN – Në konferencën e sotme për shtyp të skuadrës kombëtare, përveç Sabien Lilajt doli edhe mesfushori Enis Gavazaj. Ish-mesfushori i Skënderbeut pranoi hapur se Kategoria Superiore nuk është keq si nivel, por ajo nuk e ka atë nivel që të mundëson të marrësh pjesë në Kombëtare dhe nuk të ndihmon të ngjitesh me kuqezinjtë, sidomos për të qenë titullar në formacion.
Ai foli dhe për këshillat që u ka dhënë trajneri, ku nuk ua ka përtuar t’u vërë në pah mangësitë, ndërsa vetë Gavazaj thotë se ndaj Izraelit kanë luajtur mirë, por fati nuk ishte me ta. “Ne na ka sqaruar gjithçka dhe na ka vënë në dukje mangësitë, tha Gavazaj për trajnerin Kristian Panuçi. – Ndeshja e kaluar ka qenë e mirë për ne, por na ka munguar fati.”
“Ndeshjen e parë luajtëm ndryshe me 3-5-2 dhe nuk është shumë mbrojtëse pasi është edhe sulmuese, – vijoi ai. – Futbolli modern i do të dyja, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Edhe kur isha te Skënderbeum edhe unë edhe Abazaj erdhëm te Kombëtarja. Këtu niveli është më i lartë dhe vetëm me punë mund të arrihet në Kombëtare. Nuk është nivel i ulët i Superiores.”
“Ndoshta është vetëm ritmi dhe jo niveli, – theksoi Gavazaj. – Është kampionat i mirë dhe sezonin e kaluar treguam se nuk është kampionat i dobët. Nëse trajneri thotë të luajmë me 3-5-2 do të luajmë dhe nëse do një skemë tjetër, sidoqoftë, do të përshtatemi”. Gavazaj mund të ndihmojë skuadrën në krahun e majtë të mesfushës, sepse ai ka tipare sulmuese.
Dhe në këtë rol ka dhënë sinjale të mira edhe në ndeshjet e shkuara. Konsiderohet me shumë kualitet dhe në duele të tilla si ndaj skocezëve mund të jetë frytdhënës.