AlbanianSport.com 30.05.2016 08:45
ASNN – Më shumë impenjim dhe përqendrim nga skuadra, pavarsisht asaj fitoreje të arritur me Katarin. Kjo është ajo që Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka kërkuar nga Kombëtarja kuqezi, duke folur pas fitores 3-1 që Shqipëria ka arritur të dielën ndaj përfaqësueses aziatike.
Evropiani është një turne ku mungesa e përqendrimit dhe vëmendjes ndëshkohet dhe askush nuk të fal. Ky është apeli që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë pas fitores 3-1 që Shqipëria arriti të dielën, në miqësore ndaj Katarit.
“Fillimisht, ajo që dua të theksoj është se gabime si ai që solli golin e parë, me fillimin e ndeshjes, janë të pafalshme, – ka thënë Duka për faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin shqiptar, duke shtuar: “Loja fillon dhe përfundon, kur sinjalizon gjyqtari. Mungesa e vëmendjes ndëshkohet dhe në Evropian askush nuk t’i fal gabimet.”
Presidenti i FSHF-së e pranoi se ishte thjesht një ndeshje miqësore dhe se ishte informuar që skuadra i ka këmbët e rënduara, sepse gjatë gjithë javës ka punuar me ngarkesa. “Por unë do të kërkoja më shumë impenjim dhe përqendrim nga grupi, – ka thënë ai.
“Ne duhet të japim gjithmonë maksimumin, në mënyrë që të kemi rezultat. Shpresoj shumë që kjo ndeshje të na ketë shërbyer për të korrigjuar. Fitorja, ato gjithmonë janë të rëndësishme për moralin. Por duhet të nxjerrim më shumë konkluzione nga kjo ndeshje”, – përfundoi presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.