AlbanianSport.com 23/03/2022 21:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në ditën e tretë të grumbullimit në Barcelonë, ku po përgatitet për dy ndeshjet miqësore të muajit mars ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë. Si zakonisht ekipi dhe stafi kuqezi kanë mbërritur në orën 16:00 në qendrën stërvitore “Royalverd Vall de Bas” për të zhvilluar seancën e ditës në kushte atmosferike mjaft të mira.
Grupi është fokusuar një pjesë të mirë të kohës në ngarkesat fizike e më pas ka punuar me pjesën taktike, duke zhvilluar edhe ndeshje kontrolli mes dy grupeve ku janë aktivizuar të gjithë futbollistët. Ndërkaq, mësohet se është e sigurt mungesa e Amir Abrashit, i cili nuk mund të rikuperohet dot në kohë për dy ndeshjet e marsit për shkak të dëmtimit muskulor.
Grupi do të vazhdojë me të njëjtin program stërvitor edhe ditën e enjte, ndërsa të premten kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën zyrtare stërvitore në stadiumin e ndeshjes “RCDE” në Barcelonë.