AlbanianSport.com 30.05.2016 11:15
ASNN – Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhovani De Biazi, është i ndërgjegjshëm për famën që ka tashmë në vendin tonë, madje thotë se është i sigurt se do të bëhej Kryeministër i Shqipërisë, nëse do të kandidonte, edhe pa bërë fare fushatë.
Në një intervistë të dhënë për revistën prestigjioze “World Soccer”, trajneri është shprehur i sigurt se do të kishte sukses në Shqipëri edhe nëse do të fillonte karrierën si politikan.
“Nëse ia del të çosh një ekip si Shqipëria në fazën finale të Kampionatit Evropian, e gjitha bota të kushton vëmendje, sepse është një fenomen”, – ka thënë ai për revistën në fjalë.
“Është një moment historik për futbollin shqiptar, për popullin shqiptar dhe për politikën këtu. Nëse kandidoj për kryeministër nesër, mund të fitoj edhe pa bërë fushatë”, – ishte batuta e trajnerit të Kombëtares kuqezi.