AlbanianSport.com 06.09.2016 16:15
“Një ndeshje me dy fytyra, e luajtur nga lojtarët e tij”. Kështu e ka quajtur trajneri Xhovani De Biazi, sfidën Shqipëri-Maqedoni. “Pjesa e parë e ndeshjes së të hënën ishte mjaft e mirë, – tha ai pas triumfit në 13 minutat e luajtura të martën. – Lojtarët i zbatuan si duhet detyrat, ndërsa në minutat e pjesës së dytë ata filluan të kryejnë veprime të ngadalta dhe mjaft të lexueshme nga kundërshtari.”
“Këtu ai përfitoi dhe shënoi golin e barazimit, – vijoi italiano-shqiptari. – E dija që Maqedonia është një ekip i fortë, në mesfushë dhe në sulm, por ne arritëm të shënojmë dy gola dhe të fitojmë.” Pas ndeshjes së ndërprerë, të hënën në mbrëmje, De Biazi ka parë edhe njëherë ndeshjen dhe disa të tjera të Maqedonisë, për të parë se ku çalonte kundërshtari.
“Menjëherë pas ndeshjes, kur u ktheva në hotel kam parë me kujdes 77 minutat e ndeshjes si dhe disa të tjera të Maqedonisë për të studiuar pikat e dobëta të kundërshtarit dhe se ku mund t’u shënonin gol atyre, – ka zbuluar trajneri kuqezi. – Dhe kështu ndodhi. Ne në fakt e kërkuam që të hënën golin pasi ndryshuam edhe modulin e lojës.”
“Patëm dy sulmues në fushë, Sadikun e Balajn me Hykën një sulmues të avancuar. Por në pjesën e dytë nuk funksionoi si duhet truri i skuadrës time. Sidoqoftë, jam i kënaqur me fitoren dhe për këtë i përgëzoj djemtë”, – ka përfunduar De Biazi.