AlbanianSport.com 24/03/2021 21:40
ASNN – Kapiteni kuqezi flet para përballjes me Androrrën, kërkon përqendrim nga skuadra. Në konferencën për shtyp krahas trajnerit Edoardo Reja, ka qenë edhe kapiteni i Kombëtares kuqezi, Etrit Berisha, i cili ka theksuar se skuadra vjen pas një paraqitje të mirë në Ligën e Kombeve. “Ne kemi bërë një detyrë të mirë në kualifikimet e kaluara, – ka thënë ai. Duhet të nisemi nga ai moment. Në ndeshjet e fundit kemi treguar futboll të mirë. Sidomos në ndeshjet jashtë Shqipërisë.”
“Duhet të nisemi nga pikëpamja që çdo ndeshje është e rëndësishme, – ka vijuar Berisha. – Nesër duhet të përgatitemi jashtëzakonisht mirë dhe nuk duhet të lejohet asnjë surprizë.” Por gardiani i portës kuqezi kërkon që të korrigjohen gabimet e bëra në përballjen e mëparshme me Andorrën. “Trajneri na ka treguar që gabimet që kemi bërë në atë ndeshje kanë ndodhur për shkak të mos përqendrimi, – ka pohuar ai. – Ishin gabime të evitueshme. Futëm veten në vështirësi.”
“Të enjten është ndeshja e parë dhe duhet të kemi përqendrim maksimal, – ka përsëritur ai. – Kjo ndeshje na jep më shumë motivim dhe qetësi.” Sidoqoftë, 32-vjeçari beson tek cilësitë e skuadrës kuqezi. (Sinkronë Berisha: “Morali do të jetë edhe më i madh, duke marrë parasysh që do të luajmë me ekipe të mira dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe. Kemi kualitet në ekip, por duhet të përmirësojmë ende disa gjëra. Do mundohemi të bëjmë surpriza për mirë, siç kemi ditur.”
Për këtë arsye, Etrit Berisha shpreson në një nisje të mbarë të kësaj fushate eliminatore, teksa thotë: “Është një ndeshje e rëndësishme për ne, edhe kundërshtarin e njohim sepse kemi luajtur edhe më parë. Në ndeshjet që kemi luajtur në shtëpi kemi vendosur veten në vështirësi prej disa gabimesh. Por me siguri që ndeshja e nesërme do të jetë diçka tjetër sepse do të jetë me një fitore që ta nisim me këmbë të mbarë”, – përfundoi portieri kuqezi.