AlbanianSport.com 08/10/2021 21:40
ASNN – Në prag të kësaj sfidës së rëndësishme, të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ndaj Hungarisë, takim që do të zhvillohet në Budapest, në stadiumin “Pushkash Arena” të kryeqytetit, trajneri Edoardo Reja dhe kapiteni Etrit Berisha kanë dalë në një konferencë për mediat ku kanë folur në lidhje me këtë sfidë. Kapiteni i Kombëtares u shpreh se kjo skuadër mund të bëjë gjëra të mëdha, pasi këtë e kanë dëshmuar edhe në ndeshjen e fundit që zhvilluan ndaj Hungarisë, që i ka rritur edhe vetëbesimin.
Ai theksoi se do të nisen drejt stadiumit nesër me të njëjtin ritëm si në ndeshjen e parë në Elbasan. “Kemi luajtur gati dy vite pa tifozë dhe ishte trishtim të luhet pa tifozë dhe tani që u kthyem sërish do të luajmë pa tifozë, – ka thënë portieri kuqezi. -Unë mendoj që futbolli në fund të fundit është për tifozët dhe edhe një fitore po të jenë tifozët, është shumë e madhe. Edhe ne kënaqemi më shumë po të jenë tifozët. Por jemi shumë të përqendruar në ndeshjen e nesërme dhe nuk mendojmë shumë në këtë aspekt, por mendojmë të bëjmë lojën dhe të marrim fitoren.”
“Mendoj që këto ndeshje që kemi bërë na kanë ndihmuar shumë dhe të shikojmë edhe nivelin e kundërshtarit, – ka vijuar ai. – Jemi shumë të sigurt që mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe e kemi dëshmuar dhe kjo fitore me Hungarinë na ka ndihmuar shumë dhe na ka dhënë edhe më shumë vetëbesim për të vazhduar ëndrrën tonë. Unë shpresoj që nesër të marrim edhe një fitore të radhës që do të jetë diçka edhe më e madhe dhe shumë më shumë i afrohemi ëndrrës sonë dhe më pas edhe ndeshja ndaj Polonisë do të jetë më e lehtë për ne.”
Po cilat janë pikat e forta të Hungarisë dhe ҫfarë pret të shtunën Kombëtarja kuqezi? “Edhe më herët e kam thënë që Hungaria ka lojtarët shumë cilësorë por arma e tyre më e fortë është grupi, – ka theksuar Berisha. – Nuk kanë yje që spikasin por si skuadër, si grup, kanë bërë gjëra të mira. Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Ne kemi fituar në ndeshjen e parë dhe do të nisemi nga ajo edhe këtë radhë. Në Elbasan bëmë një ndeshje të mirë në mbrojtje ashtu si dhe në sulm ku krijuam shumë raste, kështu që shpresoj të vazhdojmë me atë ritëm dhe ta fitojmë ndeshjen.”