AlbanianSport.com 02/02/2019 19:20
ASNN – Krutanët fitojnë 2-1 me një gol në minutat shtesë, thellohetkriza e korçarëve. Kastrioti ka triumfuar në derbin e emrit historik ndaj Skënderbeut, duke fituar me rezultatin 2-1 dhe duke lënë, të paktën për 24 orë, fundin e renditjes, pasi ka kapërcyer mbi Kamzën, në kuotën e 16 pikëve. Në krahun tjetër, thellohet kriza e Skënderbeut, që ka pësuar humbjen e 7-të radhazi nga 8 gjithsej këtë sezon në Kategorinë Superiore, ndërsa korçarët nuk e shijojnë fitoren që nga 11 nëntori i vitit të shkuar.
Në fakt, kjo sfidë, që pati nisur e tensionuar që pa u goditur fare topi, me episodet jashtë stadiumit, e ka mbyllur me rrjeta të paprekura pjesën e parë dhe gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë. Në minutën e 58-të, Ymeraj do të kalojë në epërsi krutanët, kur, pas një goditjeje këndi, mesfushori shkodran i ka shpëtuar mbulimit të Abazit, duke goditur saktë me kokë. 3 minuta më pas Skënderbeu është pranë golit të barazimit, kur Krasniqi shpërdoron gjithçka, pasi gjuajtja e sulmuesit me kokë shkon jashtë kuadratit.
Por korçarëve do t’u duhet të presin deri 10 minuta para fundit të kohës së rregullt, për të gjetur golin e barazpeshës me Vangjelin. Pas një rrëmuje në zonë, mbrojtësi korçar ka qenë ai që ka devijuar i fundit topin në rrjetë. 10 minutat e fundit dhe ato 6 minuta shtesë të dhëna në përfundim të kohës së rregullt kanë qenë të ethshme dhe, kur u mendua se ndeshja do të përfundonte në barazim braziliani Roxher, i surprizon të gjithë, duke dhuruar spektakël brenda zonës, dhe duke mposhtur për herë të dytë portierin Teqja, e duke i dhuruar Kastriotit fitoren.