AlbanianSport.com 04/04/2022 21:40
ASNN – Partizani-Laçi dhe Vllaznia-Kastrioti kanë qenë dy takimet që kanë ulur siparin e javës së 27-të të Kategorisë Superiore. Takimi i luajtur në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ka vendosur përballë Vllazninë dhe Kastriotin, dy skuadra që e kërkonin fitore për synime të kundërta, teksa kuqeblutë duan vendin në Kupat e Evropës, ndërsa krutanët për të ruajtur vendin në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Ndeshja ka nisur e vrullshme në çerekorën e parë dhe Kaina rrezikon për miqtë pas dy minutash lojë, pa e gjetur dot kuadratin e shkodranëve.
Ndërsa 3 minuta më pas, Latifi kërkon të shtangë Salin me një goditje këndi drejt e në portë, por Selmani e lexon mjaft mirë situatën për t’i mohuar vendasve një gol të sigurt, duke e larguar topin në vijën fatale. Në minutën e 11-të, është Kaina që shpërdoron në mënyrë të pabesueshme, teksa nuk arrin ta mposhtë portierin Zogoviç të Vllaznisë. Loja më pas do të bjerë në monotoni dhe gjysmëora në vijim do të shohë duele dhe përplasje në mesfushë dhe gjysmë-tentativa të të dyja skuadrave kryesisht me goditjet nga larg.
Megjithatë, në minutën e 43-të, Vllaznia do të ketë një mundësi të shkëlqyer për të shënuar, por goditja me kokë e Hoxhajt në pozicion të volitshëm është qendrore dhe gjen devijimin e portierit krutan, Sali. Kështu pra, me rrjeta të paprekura do të mbyllen 45 minutat e para në Shkodër. Ajo e dyta nis praktikisht me gol, pasi portieri i Kastriotit gabon në gjykim dhe Aralica nuk e ka të vështirë të përcjellë topin në rrjetë. Loja në vijim do të jetë një dialog i vazhdueshëm midis të dyja skuadrave, me krutanët që kërkojnë golin e barazimit.
Ata bëjnë një vëllim më të madh loje, por pa patur finalizimin e dëshiruar dhe me shkodranët që administrojnë dhe synojnë ta godasin kundërshtarin me kundërsulme. Por Kastrioti do të këmbëngulë dhe, 11 minuta para fundit, Edon Hasani do të shtangë skuadrën vendase dhe do të barazojë shifrat në 1-1, duke reaguar shpejt pas topit të ardhur nga shtylla horizontale e portës shkodrane. Dhe 8 minuta më pas, ai gjen edhe një gol të dytë, duke goditur fort nga larg dhe duke mposhtur portierin e Vllaznisë, Zogoviç.
Kastrioti përmbys kështu shifrat në Shkodër dhe e mbron deri në fund fitoren 2-1, që nënkupton një hap tjetër të krutanëve drejt sigurisë, por, në të njëjtën kohë, edhe thellim të krizës së Vllaznisë.