AlbanianSport.com 26/02/2018 21:40
ASNN – Në kuadër të javës së 22-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kamza pret në fushën e saj Teutën, në një sfidë që për drejtuesit e skuadrës periferike është cilësuar si një përballje me një rival të drejtpërdrejtë për mbijetesë.
Ndonëse Kamza mban vendin e 4-t në renditje, me 32 pikë dhe është në valle për një vend në Evropë sezonin e ardhshëm dhe Teuta renditet e parafundit, me vetëm 18 pikë të marra në këto 21 javë kampionat, prapëseprapë, për trajnerin Ramadan Ndreu kjo është një sfidë për mbijetesë.
Këtë mesazh u ka përcjellë trajneri krutan lojtarëve të tij në prag të seancës stërvitore të së hënës, të zhvilluar në qendrën e ekipeve kombëtare në Kamëz. Stërvitja ka qenë më tepër e karakterit taktiko-teknik, ku trajneri ka provuar disa skema për ndeshjen e së mërkurës.
Sipas informacionit të përcjellë nga stafi teknik i periferikëve të kryeqytetit, skuadra e Kamzës shkon në sfidën e javës së 21-të me kontingjent të plotë. Vetëm braziliani Arrabal është parë të stërvitet veçmas grupit. Aktualisht, skuadra e Ndreut vjen në sfidën e kësaj jave pas 3 fitoreve të arritur në 5 ndeshjet e para të vitit 2018 në Kategorinë Superiore.
Kamza është mundur vetëm në kryeqytet, përballë Partizanit, dhe në Korçë përballë Skënderbeut, me të njëjtat shifra, 1-2. Në 3 takimet e tjera, Kamza ka mundur 3-1 në shtëpi Laçin, 1-0 në fushë të huaj Kukësin dhe 3-2 po në fushë të huaj Lushnjën. Takimi Kamza-Teuta do të luhet të mërkurën pasdreke, duke nisur nga ora 14:00, në Stadiumin e Kamzës.