AlbanianSport.com 06.11.2016 16:15
ASNN – Kamza ka fituar 3-1 me Besëlidhjen, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 7-të të kategorisë së parë. Pas kësaj fitoreje, skuadra e drejtuar nga trajneri Bledar Devolli ruan kryesimin e grupit A me 21 pikë. Kjo sfidë u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizioni Shqiptar. Kështu, Kamza vazhdon të ruajë kryesimin në grupin A të Kategorisë së Parë edhe pas javës së 8-të.
Kështu, skuadra e trajnerit Bledar Devolli ka fituar 3-1 me Besëlidhjen duke u ngjitur në kuotën e 21 pikëve. Pjesa e parë nis mjaft e vrullshme për të dyja skuadrat, që krijojnë rrezikshmëri në portat kundërshtare. Rastin e parë e krijon Besëlidhja, pasi, në minutën e 27-të, Ndreca gjuan në formë krosi brenda zonës por topi godet shtyllën dhe më pas përfundon jashtë.
Më pas, në minutën e 39-të, është Hepaj për lezhjanët, që gjuan fort me të djathtën por topi shkon ngjitur me shtyllën pingule. Në këto minuta të mira për Besëlidhjen, një gabim i mbrojtjes vendase bën që Kamza të kalojë në epërsi. Pas disa gjuajtjeve radhazi në zonë, është kapiteni Jetmir Sefa, i cili, me një gjuajtje jashtë zone shënon, 1-0 për Kamzën.
Edhe pjesa e dytë nis me një ritëm të lartë për të dyja skuadrat. Në minutën e 52-të, Kamara gjuan brenda zonës, por pret Gjonikaj. Një rast shumë i mirë ky për Besëlidhjen për të barazuar. Por në minutën e 65-të, Mario Morina shënon golin e dytë për Kamzën. Topi vjen nga goditja e këndit dhe Morina, i vetëm brenda zonës i pambuluar nga mbrojtja e Besëlidhjes shënon 2-0.
Këmbëngulin vendasit që në të 72-ën minutë ngushtojnë diferencën në 1-2, me anë të Kamaras. Por në minutën e 85-të, është sulmuesi kryeqytetas, Mario Morina që shënon golin e tretë për Kamzën, duke vulosur rezultatin e takimit në 3-1.