AlbanianSport.com 11.03.2017 15:50
ASNN – Kamza ka kapërcyer pësimin e një goli në pjesën e parë, duke shënuar dy herë në të dytën dhe duke mundur Burrelin me rezultatin 2-1 dhe duke ruajtur kreun e renditjes së grupit A të Kategorisë së Parë. Kjo ndeshje është sot për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, ka nisur fazën e 3-të të këtij sezoni, i cili ka risinë se zhvillohet me dy mini-grupe. Si grupi A, apo grupi i Veriut, ashtu edhe grupi B, apo grupi i Jugut, janë ndarë më tutje në dy minigrupe, atë të luftën për ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe, në atë të rënies në Kategorinë e Dytë.
Dhe, pasi ka sjellë të premten takimin midis Erzenit dhe Besëlidhjes, që u fitua nga lezhjanët me një gol të vetëm, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë sot për sportdashësit edhe takimin tjetër, atë midis Burrelit dhe Kamzës. Edhe kjo ndeshje është e vlefshme për mini-grupin e skuadrave që luftojnë për ngjitjen në kategori më lart.
Janë vendasit që e kanë gjetur golin e epërsisë në minutën e 4-t shtesë të pjesës parë, me një 11-metërsh të saktë të Mëllugjës. Por Kamza do të përmbysë shifrat, duke shënuar dy herë në 11 minutat e fundit dhe duke fituar me rezultatin 2-1. Kamza vazhdon të kryesojë kështu renditjen me 27 pikë, 4 më tepër sesa Besëlidhja, ndërsa Burreli mban vendin e 4-t, me 13 pikë.