AlbanianSport.com 25/09/2018 18:20
ASNN – Ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare qitësja që mbajti flamurin në Olimpiadën “Mynih 1972”. Sporti shqiptar është në zi, sepse ndahet nga jeta flamurmbajtësja e parë në Lojërat Olimpike. Në moshën 73-vjeçare, është ndarë nga jeta, rekordmenia, kampionia e shquar e qitjes shqiptare, Mjeshtre e Sportit, sportiste e klubeve “17 Nëntori” e “Partizani” dhe e ekipit kombëtar, Afërdita Tusha.
Një karrierë e pasuar me rezultate të niveleve të larta të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ato ndërkombëtare në garat e qitjes me pistoletë. Një sportiste model, përfaqësuese e një brezi të talentuar, me një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë. Afërdita Tusha, do të kujtohet edhe si femra e parë sportiste shqiptare, si flamurmbajtësja e parë në historinë e pjesëmarrjeve të një grupi kuqezi me sportistë në Lojërat Olimpike.
Kanë qenë momente të paharruara, të cilat emocionuan gjithë shqiptarët që e ndiqnin nga ekrani televiziv të Radio-Televizionit Shqiptar, kur me 26 gusht të vitit 1972, delegacioni sportiv, me Tushën e veshur me kostum popullor në krye pa duke parakaluar në pistën e stadiumit në atë manifestim madhor siç kanë qenë Lojrat Olimpike “Mynih 1972”.