AlbanianSport.com 27.09.2016 08:50
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve luan sonte ndeshjet e dyta në grupet E, F, G dhe H dhe takimi më i spikatur është ai midis Borusias së Dortmundit dhe Realit të Madridit.
Historia nuk flet edhe aq mirë “gjermanisht” për madrilenët, por trajneri i kampionëve në fuqi të Evropës, Zinedin Zidane, beson tek skuadra e tij, duke shpresuar tek fitorja edhe në Gjermani.
Borusia e Dortmundit nuk ka humbur asnjëherë në shtëpi përballë Realit të Madridit, përfshi fitoret radhazi në 3 ndeshje e fundit, ndërsa gjigandja spanjolle ka fituar vetëm 4 herë në 29 takimet e fundit në fushë të huaj përballë klubeve gjermane.
Kësisoj, historia nuk flet edhe aq mirë “gjermanisht” për madrilenët, por trajneri i kampionëve në fuqi të Evropës, Zinedin Zidane, beson tek skuadra e tij, duke shpresuar tek fitorja.
“Ne e dimë se ku qëndrojmë, sepse ne jemi Reali i Madridit dhe duam të fitojmë çdo ndeshje, – ka thënë francezi i stolit madrilen. – Nuk dua të mendoj për ndeshjet e fundit që kemi luajtur në Dortmund, sepse çdo ndeshje ka veçoritë e veta.”
Nga ana e saj, Borusia e Dortmundit vjen në këtë sfidë pasi ka shënuar plot 20 gola në 4 ndeshjet e fundit që ka luajtur në të gjitha veprimtaritë dhe aktualisht mban vendin e dytë në renditjen e Bundesligës, 3 pikë prapa Bajernit të Mynihut, që kryeson me pikë të plota, 15, pas 5 javësh.