AlbanianSport.com 21.09.2016 13:25
ASNN – Të gjithë klubet e Kategorisë së Parë kanë përfunduar shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, për t’i lënë rrugë të lirë hedhjes së shortit për kalendarin e ndeshjeve. Mamurrasi nuk do të jetë pjesë e këtij kampionati pasi nuk i ka shlyer detyrimet financiare. Në vend të tij do të luajë Partizani B.
Kështu, mosshlyerja e detyrimeve financiare ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, nga ana e klubeve të Kategorisë së Parë, solli shtyrjen e fillimit të kampionatit. Pasi ka përfunduar gjithë ky proces, të mërkurën në Federatën Shqiptare të Futbollit është hedhur shorti për kalendarin e sezonit të ri të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
20 skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë në dy grupe A dhe B, që I përkasin pjesës veriore dhe jugore të vendit. Kampionati do të luhet me tre faza. Risi për këtë sezon është se në fazën e tretë pesë skuadrat e kreut do të luajnë me njëra-tjetrën për të përcaktuar skuadrën kampione, ndërsa 5 të fundit do të luajnë për të përcaktuar skuadrën që do të dalë nga kategoria.
Për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare ndaj FSHF, Mamurrasi nuk do të jetë pjesë e kampionatit e në vend të tij do të luajë Partizani B. Ndërsa të gjithë klubet janë pajisur me tabela elektronike, të cilat do të përdoren gjatë ndeshjeve.